Flash News

KRYESORE

Vetëm PS dhe PD do të formojnë grupet parlamentare, çfarë humbet LSI në legjislaturën e re

Vetëm PS dhe PD do të formojnë grupet parlamentare,

Deputetët mund të formojnë grupe parlamentare sipas përkatësisë partiake ose orientimit politik, ndërsa formimi i grupit i njoftohet Kuvendit në seancën më të parë.

Sipas rregullores së Kuvendit, grupet parlamentare formohen mbi bazën e listës së partive politike që përfaqësohen në Kuvend, bazuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të shpallur me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.  

Kështu, në këtë legjislaturë pritet të ketë vetëm dy grupe të tilla, përkatësisht nga PS dhe PD, kurse LSI ketë herë nuk i përmbush kriteret për të patur një grup të tillë.

Kjo për faktin se pas zgjedhjeve të 25 prillit, PS mori 74 mandate deputetësh, PD 59, kurse LSI vetëm 4 ndërsa PSD tre.

Grupi parlamentar formohet nga jo më pak se 7 deputetë dhe çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm në një grup parlamentar.

Në kushte të tilla, LSI ndryshe nga legjislaturat e fundit nuk mund të krijojë grupin e saj në kuvend. Grupeve parlamentare u sigurohen mjediset e punës dhe pajisjet e nevojshme për funksionimin e tyre. Çdo grupi parlamentar i vihet në dispozicion një sekretar administrativ dhe një këshilltar, ndërsa grupit më të madh parlamentar të shumicës dhe opozitës edhe tre deri në katër këshilltarë për fusha të caktuara të veprimtarisë parlamentare.

Në 10 shtator pritet të nisë zyrtarisht legjislatura e re parlamentare.

Pak ditë më parë, presidenti Ilir Meta ka dekretuar datën më të afërt që i lejon Kushtetuta për të thirrur seancën e parë parlamentare.

Ky sesion i ri politik, pritet të jetë intensiv për faktin se Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare, pas dy vitesh jashtë institucioneve do të kthehet në aulën e debatit institucional, ndërsa kanë paralajmëruar iniciativa për një reformë të thellë kushtetuese dhe ligjore.

Të fundit