Flash News

KRYESORE

Viti ‘90, deri në dhjetor, do të ishte më i gjati, më i mërzitshmi, më dëshpëruesi dhe më zhgënjyesi i jetës sime

“Midis krimeve dhe mirazheve”, i botuar dhe i ribotuar shumë herë në këto tridhjetë vite në Shqipëri, në Kosovë dhe në shumë vende të botës, është pritur me interes nga lexuesi shqiptar dhe i huaj. Dhe me të drejtë. Për ngjarjet dhe zhvillimet që paraqet, rolin e tyre përcaktues në fatin dhe historinë e një kombi, kthjelltësinë, për forcën e analizës nga autori,  mendoj se qëndron denjësisht në serinë e librave të jashtëzakonshëm.

Viti ‘90, deri në dhjetor, do të ishte më i gjati, më

Sali Berisha*

Librat e mirë janë si qenie të gjalla, madje herë-herë edhe mbitokësore. I tillë është për mua “Midis krimeve dhe mirazheve” i shkrimtarit të mirënjohur Besnik Mustafaj. Ky është libri që më përpin si rrallë ndonjë tjetër. Kjo para së gjithash për rëndësinë përcaktuese të ngjarjeve në historinë e një vendi dhe të një kombi që u kushtohet, por edhe për vërtetësinë, forcën e përshkrimit dhe analizës së këtyre zhvillimeve nga autori.

“Midis krimeve dhe mirazheve” është midis dy botëve, dy epokave. Këtu lexuesi lundron midis botës së krimit të shumëfishtë, epokës së monizmit absolut ideologjik, agonisë së saj nga njëra anë dhe nga ana tjetër, botës së mirazheve, epokës së pluralizmit politik dhe demokracisë në fillesat e saj, lindjes së një rendi tjetër shoqëror tashmë të harruar nga shqiptarët nën peshën e një shtypjeje të pashembullt për kohën e vet.

Viti 1990, në 11 muajt e tij të parë, do të ishte dhe viti më i gjatë, më i mërzitshëm, më dëshpërues dhe më zhgënjyes i jetës sime. Ai më ngjante si vit i tmerrshëm për Shqipërinë. Më dukej i tillë, sepse një vit më parë diktaturat komuniste kishin rënë njëra pas tjetrës në Europën ish-komuniste, kurse Shqipëria vazhdonte të lëngonte nën regjimin stalinist.

Autori paraqet pasojat shkatërrimtare ekstreme në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër ish-komunist në Europë, të diktaturës së trefishtë hoxhiste, të kasaphanës së luftës së klasave, të tiranisë së mjerimit dhe asaj të izolimit të plotë me deformimet e rënda të njeriut dhe të shoqërisë. Ai gjithashtu analizon përpjekjet e fundit të regjimit për të mbijetuar nëpërmjet retushimeve politike, makinerisë gjigante propagandistike dhe natyrisht, armës së tij të përhershme – terrorit.  

Viti 1990 nuk ishte një vit i heshtur. Autori na njeh me ato klithma të rralla të vetmuara  të intelektualëve, ndër ta dhe vetë ai, që kërkonin ndryshime dhe mëtonin të zgjonin shoqërinë shqiptare, e cila vazhdonte të dremiste nën terror, por dhe indoktrinim të thellë e kllapitës.

Ai vit, ndonëse pa mëdyshje diktatorial, nuk ishte një vit i sheshtë. Ai u prit me demonstrata të guximshme e heroike kundër diktaturës nga të rinjtë antikomunistë në Shkodër, Kavajë dhe me kryengritjen e mbi 5 mijë të rinjve kryesisht të Tiranës, të cilët më 2 korrik të vitit 1990 “pushtuan” ambasadat e huaja dhe rrëzuan “Murin e Berlinit” në Tiranë.

Ky rrëzim ishte vetëm i përkohshëm. Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist, si asnjë homolog i tij në vendet e tjera ish-komuniste, arriti ta rivendose me shpejtësi, pothuaj manu militari, “perden e hekurt” në Shqipëri. Kjo para së gjithash për shkak të apatisë së shoqërisë së rraskapitur shqiptare, e cila deri në dhjetor të atij viti jetonte në vetëharresën e saj dhe kishte mbetur, për t’i marrë hua një shprehje Sartrit: “Në bisht të kohës!”

“Midis krimeve dhe mirazheve” para së gjithash është historia reale dhe apoteozë e vërtetë e Lëvizjes Studentore, revolucionit demokratik të dhjetorit 1990, ngjarjes më të rëndësishme në tërë historinë e lirisë së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, që nga shpallja e Pavarësisë e deri atëherë.

Ky zhvillim madhor historik do të shndërronte vitin 1990 nga annus horribilis në annus mirabilis për shqiptarët. Në libër paraqiten të gjitha zhvillimet në katër ditë, datat 8-11 dhjetor, demonstratat e studentëve të Universitetit të Tiranës, përballja e tyre, legjendë e vërtetë guximi në rrugët e kryeqytetit, me dhunën e egër e brutale policore të diktaturës, debatet e studentëve me diktatorin e kohës, takimet tona me studentët, mbledhjet e gjata dhe mitingjet e tyre në Qytetin Studenti, të cilat autori pati fatin t’i përjetojë me të gjithë qenien dhe ndjesitë e tij si shkrimtar i njohur, si intelektual-avokat i interesit publik dhe kombëtar, si dëshmitar i vendosur, por në fakt edhe si protagonist pa protagonizëm i tyre.

Të gjitha këto Besnik Mustafaj i sjell të gjalla në këtë libër.

Së bashku me autorin dhe qindra e mijëra studentë, intelektualë, qytetarë, përjetuam ato ditë e net një mrekulli të jetuar kurrë më parë. Ajo ishte mrekullia e ringjalljes së befasishme dhe të pabesueshme, e ngritjes në këmbë e studentëve me në krye liderin e tyre Azem Hajdari, e ngjitjes së tyre si Feniksi nga hiri në zenitin e kohës, e përballjes së tyre si të pamposhtur e me guxim mbinjerëzor në rrugët e Tiranës me diktaturën e egër. Kjo përballje zgjoi si një elektroshok qytetarët e Tiranës, deri atëherë  ndër njerëzit më të shtypur, më të izoluar dhe më të vetëharruar të kësaj toke.

Besnik Mustafaj sjell me vërtetësi historinë, epikën dhe njëherazi lirikën e papërsëritshme të atyre ditëve, dinamikën e tyre të papërmbajtshme, qëndresën, vendosmërinë, idealizmin, çiltërsinë, guximin e studentëve sfidantë, të cilët qytetarët do t’i lartësonin deri në qiell, si engjëj të demokracisë.

Në katër ditë, së bashku me autorin patëm fatin të takojmë heronj të vërtetë, që po hidhnin themelet e epokës së re. Autori i librit ndalet edhe në bashkimin tonë me lëvizjen studentore, takimet dhe debatet tona të zjarrta me Azem Hajdarin dhe bashkëluftëtarët e tij në Qytetin Studenti. Ai përshkruan edhe vërshimin, në fakt një hap i vonuar, pasi u bindën se studentët nuk dorëzohen, të qytetarëve, intelektualëve  të Tiranës në Qytetin Studenti, të cilët me mburojën njerëzore që krijuan rreth engjëjve të demokracisë detyruan regjimin të kapitullojë dhe të pranojë kërkesat ultimative të studentëve: themelimin e pluralizmit politik në Shqipëri.

Ai njeh gjithashtu lexuesin me ndihmesën që patëm fatin të japim nga paraditja e datës 9 dhjetor dhe në vazhdim për suksesin e revolucionit demokratik të dhjetorit `90, i cili kulmoi me themelimin e Partisë Demokratike nga studentë dhe intelektualë të vendit. I pranishëm në mbledhjen themeluese të mbajtur në një sallë të godinës 6 të Qytetit Studenti, Besnik Mustafaj ndalet te pjesëmarrësit në mbledhje, debatet dhe vendimi i tyre rreth mesnatës së datës 11 dhjetor për themelimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Ky akt historik shënoi fundin e epokës së monizmit politik absolut në Shqipëri dhe lindjen e epokës së pluralizmit politik.

Ditët që ndajnë epokat takohen rrallë, shumë rrallë, mundet dhe kurrë në jetën e një njeriu ose vetëm një herë në disa gjenerata. Ne i përjetuam ato falë studentëve guximtarë. Ndaj, “Midis krimeve dhe mirazheve” është vepër homazh kushtuar Azem Hajdarit dhe studentëve liberatorë, ditëve, lëvizjes së tyre, me të cilat ata ndanë epokat.

Revolucioni demokratik i dhjetorit `90 në pamje të parë ishte vazhdim i revolucionit demokratik të vendeve ish-komuniste të vitit 1989, dhe pa diskutim ai i tillë ishte. Por ky revolucion, për rrethanat dhe kushtet, dallonte shumë prej të parit. Ai ishte akti i parë madhor vetëm shqiptar në tërë historinë e kombit tonë, vepër ekskluzive e studentëve, intelektualëve dhe qytetarëve shqiptarë pa asnjë ndërhyrje apo ndihmë direkte, as indirekte, nga vende apo forca politike të huaja.

Ky revolucion pas më shumë se shtatëdhjetë vjetësh nxori Beogradin jashtë skenës politike të Tiranës. Ai u zhvillua në vendin më të izoluar dhe pa asnjë lloj disidence publike, në vendin ku liritë dhe të drejtat njerëzore ndaloheshin me Kushtetutë dhe ndëshkoheshin me dënimet më të rënda. Ai ishte revolucion jo vetëm për liri e demokraci, por dhe për Shqipërinë si Europa, d.m.th. rreshtimin e Shqipërisë në anën e aleatëve të saj, në anën e drejtë të historisë dhe integrimin e saj në Europë.

Revolucioni i dhjetorit 90 ishte në fakt kombëtar. Partia Demokratike e sapothemeluar do të deklaronte si yllin e saj polar zgjidhjen e çështjes kombëtare, të tradhtuar deri atëherë nga regjimi komunist.

“Midis krimeve dhe mirazheve” sjell të magjishme, siç ishte, edhe lirikën e papërsëritshme të lëvizjes studentore. Në faqet e tij gjej më shumë se në asnjë libër tjetër shpërthime entuziazmi të papërmbajtur, thirrje, brohoritje frenetike, këngë, shumë prej tyre të pakënduara ndonjëherë në publik, ligjërata të zjarrta e fjalime frymëzuese, stuhi emocionale e shtrëngata ngashërimesh, vërshime të lotëve të gëzimit, vezullime sysh, përqafime në qindra e mijëra raste të studentëve dhe qytetarëve edhe të panjohur në ekstazë, në rrugicat dhe sheshet e Qytetit Studenti. Të gjitha këto i shndërruan ato ditë të ftohta dhjetori në festivalin më të bukur të lirisë, në ditë të një pranvere të shumëpritur në dekada.

Pas themelimit të Partisë Demokratike si parti opozitare antikomuniste, misioni kryesor i saj ishte përmbysja e sistemit komunist, ndaj dhe revolucioni demokratik do të shndërrohej tërësisht në një lëvizje të fuqishme antikomuniste e udhëhequr nga Partia Demokratike. Por ky mision ishte pothuaj në kufijtë e së pamundurës. Ramiz Alia, nga frika e përsëritjes së skenarit rumun në Tiranë, siç do ta pohonte vetë, e pranoi pluralizmin politik. Vetëm pak ditë pas themelimit të Partisë Demokratike, Aktivi Kombëtar i PPSH-së do të rikonfirmonte ideologjinë marksiste-leniniste si doktrinë udhëheqëse të PPSH-së. Me këtë akt, kjo parti me trashëgimi terroriste shpallte opozitën shqiptare si armik të brendshëm për t’u luftuar me të gjitha mjetet dhe mundësisht për t’u zhdukur.

Në këto kushte, beteja midis dy botëve, midis krimeve dhe mirazheve, do të zhvillohej me shpejtësi, më e ashpër se në çdo vend tjetër ish-komunist.

Në këtë libër autori na njeh me përpjekjet e guximshme të Partisë Demokratike për shtrirjen e saj në mbarë vendin dhe krijimin e një lëvizjeje të fuqishme, organizimin e  mitingjeve dhe protestave antikomuniste paqësore nëpër Shqipëri, për vrasjen e frikës te shqiptarët.

Në faqet e këtij libri lexuesi njihet me thirrjen e mitingjeve nga PPSH-ja në të njëjtin shesh dhe në të njëjtën orë që kishte thirrur Partia Demokratike, me qëllim nxitjen e konfliktit civil; njihet edhe me trishtimin e thellë të autorit nga organizimi i antimitingut të parë në vendlindjen e tij, qytetin Bajram Curri. Një vend i veçantë i kushtohet në libër organizimit të grevës epike të urisë të studentëve të betuar në Flamurin Kombëtar për vetëflijim në shkurt të vitit 1991, me qëllim përmbysjen e kultit të Enver Hoxhës, kultit më të keq në historinë e shqiptarëve dhe simboleve të tjera të diktaturës.

Ky revolucion kulmoi me rrëzimin më 20 shkurt 1991, në sheshin “Skënderbej” dhe në sheshet e qyteteve të tjera të vendit, të statujave të diktatorit Hoxha, të cilin, në deklaratën e Parisit, liderët e partive të Bashkimit Demokratik Europian do ta quanin “Hitleri shqiptar i pasluftës”.

Ky revolucion antikomunist i shkurtit 1991 u shoqërua me përpjekjet puçiste të pushtetit për vendosjen e një regjimi ushtarak, me armatosjen e fanatikëve për mbrojtjen e kultit të Hoxhës dhe simboleve të sistemit të vjetër, si dhe me terrorin, tërheqjen zvarrë dhe ekzekutimin e demokratëve në rrugët e Tiranës, Fierit, Korçës, Sarandës (Borshit), organizimin po ato ditë të puçit presidencial dhe atij ushtarak në Shkollën e Bashkuar etj.

Në këtë betejë tmerrësisht të ashpër dhe jo të papërgjakshme me regjimin e vjetër, revolucioni antikomunist i shkurtit 1991 doli i fituar, por do të thosha edhe i plagosur. Me dhunën, terrorin dhe vrasjet e shkurtit 1991, PPSH-ja u dëshmoi shqiptarëve se ajo, ashtu siç zotohej gjithnjë, pushtetin e fituar me gjak nuk do ta dorëzonte pa gjak.

Ky do të ishte shkaku kryesor, bashkë me indoktrinimin e thellë, të cilin autori e quan molepsje e trurit të shqiptarëve, përse Partia Demokratike, në dallim nga të gjitha forcat politike në vendet ish-komuniste, do të humbiste në zgjedhjet e para pluraliste më 31 mars 1991.

Besnik Mustafaj me “Midis krimeve dhe mirazheve” na njeh me zhvillimet më kryesore të viteve 1991-1997, tronditjen e thellë të lëvizjes antikomuniste dhe me Partinë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve të para, eksodin biblik të shqiptarëve, vazhdimin nga Partia Demokratike të protestave, grevat, rrëzimin e qeverisë socialiste të dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991, krijimin e qeverisë së stabilitetit në qershor të vitit 1991 dhe daljen e saj në fund të atij viti nga ajo qeveri, duke korrigjuar gabimin e saj, si dhe me fitoren plebishitare në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në mars 1992.

Një vend të veçantë në libër kanë përpjekjet e forcave të reja politike për ndërtimin e botës së mirazheve të sistemit demokratik në vendin e tretë më të varfër të planetit, hapjen e vendit si dhe tronditjen e thellë të Shqipërisë nga kriza financiare e krijuar nga zhvillimi i skemave piramidale.

Nga ana tjetër, trashëgimtarët e Partisë së Punës nuk e pranuan kurrë në ndërgjegjen e tyre humbjen e pushtetit në mars të vitit 1992. Ata do të bojkotonin zgjedhjet e vitit 1996 dhe në vitin 1997 do të manipulonin me mjete politike pakënaqësinë popullore për shkak të humbjeve financiare në skemat piramidale, për ta shndërruar atë në rebelim komunist. Demokracia e brishtë shqiptare u trondit thellë. Por përsëri, siç pohon vetë autori i librit, ajo nuk dështoi.

“Midis krimeve dhe mirazheve”, i botuar dhe i ribotuar shumë herë në këto tridhjetë vite në Shqipëri, në Kosovë dhe në shumë vende të botës, është pritur me interes nga lexuesi shqiptar dhe i huaj. Dhe me të drejtë. Për ngjarjet dhe zhvillimet që paraqet, rolin e tyre përcaktues në fatin dhe historinë e një kombi, kthjelltësinë, për forcën e analizës nga autori,  mendoj se qëndron denjësisht në serinë e librave të jashtëzakonshëm.

*Parathënia e librit “Midis krimeve dhe mirazheve” të Besnik Mustafajt, që promovohet sot me rastin e 8 dhjetorit dhe është botuar nga Onufri.  

Të fundit