Flash News

E-TJERA

Vrau kushërinjtë për 30 rrënjë kanabis, Policia shpall në kërkim Daniel Pepajn, arreston të atin e tij

Vrau kushërinjtë për 30 rrënjë kanabis, Policia shpall

Detaje të reja zbardhen nga vrasja e dy të rinjve në Malësinë e Madhe. Policia ka vënë në pranga babain e Danjel Pepaj, i dyshuar si autori i vrasjes së Klement Pepaj e Vilson Çutaj.

Mësohet se, ka qenë Rrok Pepaj që ka çuar policinë në parcelat me kanabis, vend në të cilin Danjel Pepaj ekzekutoi dy kushërinjtë e tij. Pas hetimeve, policia ka arrestuar të moshuarin si dhe ka shpallur në kërkim autorin e vrasjeve.

Danjel Pepaj ekzekutoi dy kushërinjtë e tij pas një debati, ku i akuzonte ata për grabitjen për 30 rrënjëve kanabisi. Ai qëlloi Klement Papajn me armë në ballë dhe Vilson Çutajn nga mbrapa në brinjë.

Dy të rinjtë humbën jetën në vendngjarje, ndërkaq pas vrasjes i riu i ka vendosur flakën të gjithë parcelës së tij dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit për humbjen e kontakteve të tre të rinjve me familjarët e tyre në Malësinë e Madhe, organizuan grupe kontrolli në të gjithë zonën duke përdorur edhe dronë.

Njëkohësisht u ngrit një grup i posaçëm hetimor me specialistët më të mirë të Hetimit të Krimit në DVP Shkodër dhe në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijoi puna për zbardhjen e ngjarjes, pasi dyshohej se të rinjtë mund të ishin vrarë.

Pas kërkimeve intensive në malet e fshatit Vrith, Malësi e Madhe, në vendin e quajtur “Rrenza e Grecajve”, u bë e mundur gjetja e trupave të pajetë të dy të rinjve, Vilson Çutaj, 37 vjeç dhe Klement Pepaj, 21 vjeç.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas ishin vrarë me armë zjarri. Gjithashtu, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe kontrollit përreth vendit të ngjarjes u gjetën të kultivuara 29 bimë kanabis.

Në lidhje me këtë ngjarje u arrestua në flagrancë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, shtetasi Rrok Pepaj, lindur dhe banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe, pasi dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij Danjel Pepaj, 25 vjeç, në fshatin Vrith, Malësi e Madhe janë personat që kanë kultivuar 29 bimët narkotike të gjetura në vendin e ngjarjes.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes, si rezultat i provave e informacioneve të grumbulluara dhe veprimeve të shpejta profesionale është bërë shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të vrasjes së dy të rinjve, konkretisht e shtetasit Danjel Pepaj, 25 vjeç, banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Vijon puna intensive, në bashkëpunim edhe me homologët e vendeve fqinjë, për të bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar Danjel Pepaj. 

Të fundit