Flash News

KRYESORE

Zbardhet dëshmia në SPAK: Si u bë Basha përfitues i zyrave të rikonstruktuara me paratë e incineratorëve te Torre Drini

Zbardhet dëshmia në SPAK: Si u bë Basha përfitues i zyrave

Ish kryetari i PD, Lulzim Basha, është kthyer në subjekt të dosjes hetimore “Ahmetaj” për incineratorët. Një dëshmi e marrë nga SPAK ka bërë lidhjen e ish kreut të opozitës me kompaninë e incineratorëve.

Një burim zyrtar nga SPAK i tha Syri televizion se po hetohet për këtë dëshmi, që hedh dritë për përfitimin edhe të një pjese të opozitës nga paratë e incineratorëve. Dëshmia që ka rënë në sy të prokurorëve të SPAK-ut është bërë nga një teknik ndërtimi.

Siç del deri tani nga hetimet, ai ka kryer punime për llogari të ish kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, por paratë janë faturuar për kompaninë e incineratorëve, Integrated Technology Services.

“Për llogari të ITS-së, kam bërë edhe rikonstruksion të disa zyrave tek Torre Drini, në katin e tretë. Ishte një ambient që u përshtat një pjesë për recepsion dhe pjesa tjetër për nja dy zyra, para rreth një viti e ca, pra këto kohet e fundit.”- thuhet në dëshminë e teknikut të ndërtimit, bërë para prokurorëve të SPAK-ut.

Syri Televizion njeh dhe identitetin e dëshmitarit që ka bërë lidhjen mes Lulzim Bashës dhe incineratorëve. Sipas dëshmisë që gjendet në dosjen hetimore, punimet kanë kushtuar 10 milionë lekë, të cilat i janë faturuar ITS-së,  pra, kompanisë së incineratorëve, por deri kur është marrë në pyetje, nuk ishte paguar ende për punimet që ka bërë tek zyrat e reja të Lulzim Bashës tek Torre Drini.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nuk flet kaq hapur se kujt i përkasin këto ambjente, të faturuara për llogari të pronarëve të incineratorëve, por është duke hetuar në lidhje me dëshminë e teknikut, që ka faturuar shpesh për kompaninë e incineratorëve, njësoj siç bëhej me punimet për pronat e Arben Ahmetaj.

Menjëherë pasi Lulzim Basha dha dorëheqjen në Mars 2022, ai hapi një zyrë private tek Torre Drini në katin e 10-të, por rreth një vit më parë u zhvendos në katin e 3-të, pikërisht në zyrat që janë rikonstruktuar për llogari të kompanisë së incineratorëve. Syri televizion i kërkoi një reagim zotit Basha për këtë çështje, por akoma nuk ka një përgjigje, nëse ai është përfitues i zyrave të rikonstrutuara me paratë e incineratorëve.

Të fundit