Flash News

KRYESORE

Kryetari i Këshillit të Medias i kujton 'listën e zezë' të gazetarëve. Basha: kam reflektuar

Koloreto Cukali, kryetari i Këshillit shqiptar të Medias i ka kujtuar kryetarit të PD, që mblodhi sot në një tryezë përfaqësues të medias, si reagim ndaj ligjit anti-shpifje të qeverisë, se ka edhe partia e tij një 'listë të zezë' mediatike. Ka gazetarë kundër ligjit që nuk janë sot këtu, ka theksuar Cukali duke iu referuar një qarkoreje të para disa muajve të dalë nga selia blu ku listoheshin disa gazetarë 'të padëshiruar'.

Basha, duke marrë fjalën më vonë, ka nënvizuar se nuk ekziston një listë e tillë, por edhe nëqoftëse ekziston, perceptimi i kësaj liste kjo nuk është gjë e mirë. Ai ka premtuar se do të reflektojë.

Qarkorja në fjalë, ku gazetarët Skënder Minxhozi, Mero Baze dhe Sokol Balla shpalleshin 'non grata' nga PD u botua nga gazeta MAPO, një e përditshme pranë demokratëve dhe zgjoi regime të shumta në media. Edhe pse nuk përmendej me emër në qarkore, aty nënkuptohej edhe Politiko.al, një portal asokohe afër opozitës, por kritike me disa qëndrime të Bashës. Pak pas qarkullimit të qarkores, gazeta zyrtare e PD 'Rilindja Demokratike', i dha fund nënkuptimeve duke botuar një editorial të nënshkruar nga Rexhep Polisi, ku botuesi i Politiko shpallej si 'Juda i shitur për 30 aspra te Edi Rama'.

Polisi ndodhej sot në tryezën e thirrur nga Basha duke ia 'anulluar' refuzimin e listës së zezë dhe reflektimin.

Të fundit