Flash News

KRYESORE

Kthehen 30 shtetas të tjerë nga Franca. Zv/ministria Voda: Shanset për azil në vendet e BE-së janë zero”

Rreth orës 15:30, në aeroportin e Rinasit, ka mbërritur një charter me 30 shtetas shqiptarë të rikthyer nga Franca, të cilët kishin kërkuar azil politik në Francë. Ky është avioni i tretë, një tjetër do ketë brenda pak ditësh çka dëshmon se bashkëpunimi me Francën për kthimin e tyre është në një fazë të re. Zv/ministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda, e shoqëruar nga Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Aida Hajna, ka përcjellë mesazhe të qarta për të gjithë ata shtetas që tentojnë për të udhëtuar drejt Francës apo vende të tjera të BE-së, me qëllim kërkimin e azilit Politik.

Ajo tha se shanset për azil në vendet e BE-së janë zero pasi Shqipëria është vend i sigurt: “Jemi përsëri në Rinas, këtu në një operacion tjetër të riatdhesimit të azilkërkuesve shqiptarë të kthyer nga shteti francez nëpërmjet një charteri. Jemi këtu për të dhënë një mesazh të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për t’u thënë se shanset për azil në vendet e BE janë zero. Tashmë prej 3 vitesh Shqipëria është në listën e vendeve të origjinës së sigurt, pra një vend i sigurt ku qytetarët e tij, shanset, e theksoj dhe një herë për të kërkuar azil, janë zero. Ndaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Shqipërisë të jenë ndërgjegjshëm që sigurisht lëvizja e lirë nuk do t’u cenohet. Patjetër që ata kanë të drejtë brenda kufijve të zonës Schengen të lëvizin, kanë lirinë e tyre, por duhet të respektojnë patjetër edhe rregullat e kësaj lëvizjeje. Mendoj se ky mesazh duhet të jetë i qartë për të gjithë”, deklaroi Voda. Zv.ministrja paralajmëroi se do të ketë kontrolle dhe do të jenë nga më të imëta. “...Mos kërkoni azil brenda vendeve të BE. Shanset për azil janë zero. Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta. Të gjithë ata shtetas që pretendojnë një shkollim më të mirë, që duan të gjejnë punë, kanë të gjitha mundësitë ligjore, rrugët ligjore për të kërkuar diçka të tillë në vendet e BE-së”, u shpreh zv.ministrja.

Të fundit