Flash News

OP-ED

Ku është zemërimi për goditjen e Ismet Drishtit?

Ku është zemërimi për goditjen e Ismet Drishtit?

Red Varaku

Napoleon Bonaparti thoshte se katër gazeta të pavararura dhe opozitare, janë më të rrezikshme se një mijë bajoneta. Ai e thoshte këtë sepse e njihte mirë fuqinë e shtypit të lirë. Ai e dinte mirë që një shtyp i lirë mund të zgjojë te populli i tulatur nga frika dhe dhuna barbare, një shkëndijë që më pas mund të kthehet në një zjarr të madh, i cili mund të djegë vetë regjimin. Përgjatë të gjithë historisë njerëzore, tiranët gjithmonë kanë patur një luftë të hapur me njerëzit e shtypit, gazetarët dhe reporterët.

Shtypi i lirë është një vijë e kuqe që nuk duhet shkelur, sepse është një hap i pakthyeshëm drejt skllavërisë për një komb. Është një vijë e kuqe që paralajmëron fundin e demokracisë dhe fillimin e rrëshqitjes drejt një regjimi totalitar. Kjo është edhe arsyeja pse në vendet demokratike fjala e lirë është e shenjtë dhe e panegociueshme.

Kryeministri aktual i ka shpallur luftë shtypit të lirë, për shkak se duke qenë një njohës i mirë i magjisë së lirisë së shtypit, e njeh mirë fuqinë dhe i druhet forcës së tij. Ai ka një strategji të punuar shumë hollë dhe me djallëzi për t'u mbyllur gojën gazetarëve, të cilën po e zbaton me përpikmëri gati kimike.

Zhgënjyese dhe ulëritëse në të gjithë këtë histori është heshtja e gazetarëve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në çdo rast jep shfaqjen përkatëse kur goditen gazetarët, bën sikur indinjohet dhe zemërohet përballë rasteve flagrante të persekutimit të gazetarëve, por asgjë më shumë. Asnjë strategji për t'u mbrojtur ndaj strategjisë së Kryeministrit për të asgjësuar përgjithmonë shtypin e lirë.

Në rastin e Ismet Drishtit nuk kemi asnjë reagim, qoftë për hipokrizi. Gazetarët, dhe jo vetëm, duhet të jenë shumë vigjilentë dhe të reagojnë njëzëri dhe me vendosmëri përballë rasteve të tilla flagrante që synojnë mbylljen e gojës së njerëzve të lirë, faji i vetëm i të cilëve është raportimi me besnikëri i realitetit, në vend që të investigojnë me shumë seriozitet për fjala vjen, të dashurin e Elvanës apo syzet e Tunës.

Përpjekja për t'i mbyllur gojën gazetarëve është një tregues i qartë i fillimit të një epoke dhune dhe terrori për të gjithë. Tiranitë ushqehen nga indiferenca dhe përgjumja e popullit. Nëse nuk do të reagojmë me vendosmëri ndaj akteve të tilla, atëherë kamzhiku i këtij regjimi do të bjerë mbi të gjithë. John F. Kennedy shkruante se “Një qeveri që nuk lejon popullin e saj të gjykojë të vërtetën, në një treg të hapur, është është një qeveri që ka frikë nga populli i saj."

 

Të fundit