Flash News

KRYESORE

Kufijtë e BE-së nuk do të hapen për Ballkanin Perëndimor pas 1 korrikut, përjashtohen vetëm Serbia dhe Mali i Zi

Kufijtë e BE-së nuk do të hapen për Ballkanin

Bashkimi Evropian ka dalë me një vendim duke përcaktuar listën e shteteve që do të lejohen të udhëtojnë nga 1 korriku.

Pas një mbledhjeje që zgjati rreth gjashtë orë në Bruksel, ambasadorët nga 27 vendet anëtare të BE-së dolën me vendimin se nuk do të hapin kufijtë e jashtëm për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, veç Malit të Zi dhe Serbisë.

Pra, vende si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina do të vijojnë të zbatojnë kufizimet edhe pas 1 korrikut si masë parandaluese anti-covid.

Dy javë më parë, Komisioni Evropian kishte propozuar që për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kufijtë e BE-së do të rihapen nga 1 korriku, për shkak se në atë periudhë situata e epidemisë ishte nën kontroll dhe rastet e infeksioneve kishin pësuar rënie.

Vendimi i ri është argumentuar me faktin se vendet që do të vijojnë të zbatojnë kufizimet po përballen me një situatë të përkeqësuar me shtimin e rasteve të infeksionit dhe viktimave prej covid-19.

Kriteri kryesor për heqjen e kufizimeve për hyrje në BE, ishte nëse një shtet konfirmonte më pak se 16 raste për 100.000 banorë në dy javët e fundit.

Lista nuk është përfundimtare dhe ajo mund të ndryshohet në bazë të zhvillimit të situatës epidemiologjike.

Të fundit