Flash News

KRYESORE

Kufiri detar, Milo: S'ka marrëveshje të fshehtë, qeveria t’ju thotë shqiptarëve se ku kanë mbetur negociatat

Kufiri detar, Milo: S'ka marrëveshje të fshehtë, qeveria

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo nuk mendon se ka një marrëveshje të fshehtë mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për çështjen e kufirit detar, lidhur me hipotezat pas deklaratës së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në parlamentin grek.

Milo deklaron se duhet më shumë transparencë në proces

“Nga ndjekja e komenteve që po bëhen këtu dhe në Greqi në lidhje me çështjen, vihet re sa rëndësi ka transparenca në diskutimin e çështjeve të tilla delikate. Deklarata e kryeministrit grek, e bërë në një kontekst tjetër, ngjalli komentet nga më të ndryshmet, por besoj se ia kemi rritur vlerën kësaj deklarate. Ishte një deklarate që synon një marrëveshje për kufirin detar me Shqipërinë. Por sipas meje, nuk ka përpjekje për një marrëveshje të fshehtë.

Atë që doja nga qeveria është që të dalin e të flasin më tepër në aspektin teknik, t’i thuhet shqiptarëve se ku kanë mbetur negociatat,  normalisht aq sa mund të thuhet. Ka dalë kryeministri, por tani duhet të dalin ekspertët që të qartësojnë publikun” tha Milo në A2.

Sipas tij, është e domosdoshme që të krijohet një tjetër grup negociator, “me profesionistë  gjithëpërfshirës. Të jenë persona me dinjitet profesional që të mbrojnë çështjen deri në fund”.

Në lidhje me marrëveshjen konkrete me Greqinë, një nga çështjet më të nxehta është përcaktimi i vijës bazë që shërben në përllogaritjen e ujërave territoriale.

“Çdo vend bregdetar, nga Poli i Veriut tek ai i Jugut,  ka të drejtë të ketë ujëra territoriale deri në 12 milje, por kjo ndodh aty ku nuk ndesh me ujërat territoriale të një vendi tjetër. Në të drejtën ndërkombëtare të detit, koncepti kryesor është që në përllogaritjen e vijës bazë të ujërave territoriale duhet të prevalojë dheu territorial, pra kontinenti, dhe jo një ishull. Në marrëveshjen e vitit 2009, koncepti i vijës bazë nuk ekzistonte” tha Milo.

Të fundit