Flash News

KRYESORE

 Kur fjalën e kanë gratë, gara në shifra mes meshkujve dhe femrave  

 Kur fjalën e kanë gratë, gara në shifra mes meshkujve

Burrat nën hije, lozin, kuvendojnë, pika që s’u bie, se nga gratë rrojnë! Këto vargje të Çajupit janë kthyer në një simbolikë të përpjekjeve të grave shqiptare në shekuj për të mbijetuar e për të siguruar vendin e tyre në shoqëri.

Sot, shifrat flasin në favor të tyre. Hendeku i pagave sa vjen e ngushtohet, madje femrat në poste drejtuese paguhen më shumë sesa meshkujt. Numri i femrave në biznes sa vjen e rritet, ndonëse ato mbizotërojnë në sipërmarrjet e vogla. Në politikë, zëri i tyre dëgjohet gjithnjë e më shumë. Edhe renditjet ndërkombëtare konfirmojnë se Shqipëria ka bërë hapa para në drejtim të barazisë gjinore.

Gratë paguhen 6.3% më pak se burrat

Gratë janë paguar historikisht më pak se burrat në Shqipëri. Por hendeku ka ardhur në ulje vitet e fundit. Në vitin 2014, hendeku gjinor për pagat ishte 10% dhe në 2015-n, zbriti në 6.9%.

Përmirësimi vijoi edhe në 2016-n. Mesatarisht, paga mujore e tyre për vitin 2016 ishte 44,221 lekë, apo 6% më e ulët sesa ajo e meshkujve. Nga 36 profesione që raporton INSTAT, në 25 prej tyre meshkujt paguhen më shumë.

Pas drejtuesve, profesioni i dytë më i paguar tek femrat është ai i “Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”, me një pagë mesatare prej 86,927 lekë, por që është rreth 7% më e ulët sesa e meshkujve.

Edhe në shtet, femrat duket se “bëjnë ligjin”. Në kategorinë “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, paga mesatare e meshkujve është 81,031 lekë, rreth 2,240 lekë, apo 3% më e ulët se e femrave.

Profesionet ku meshkujt paguhen shumë më tepër se femrat lidhen me aktivitete të rënda të dedikuara kryesisht për ta, apo në shërbime ushtarake si p.sh. “Punonjës në industri” (+30%); “Punëtorë në miniera, ndërtim, industri e transport” (+11%); “Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes” (+25%).

Interesant është fakti që ka një diferencë të lartë mes pagesës së femrave dhe meshkujve në fushën e shëndetësisë, në favor të këtyre të fundit. Paga mesatare e meshkujve në profesionin “specialistë të shëndetësisë” është 61,776 lekë, ndërsa ajo e femrave 47,944 lekë, rreth 22% më pak.

Femrat në biznes, sipas INSTAT

Në vitin 2016, përqindja e pronareve/administratoreve gra është 26,8%. Përqindja e grave pronare apo administratore në ndërmarrjet e vogla (1-4 të punësuar) është më e lartë se në kategoritë e tjera. Nga viti 2006 deri në vitin 2016, përqindja e pronareve/administratoreve gra është rritur në të gjitha kategoritë, me rritjen më të madhe në ndërmarrjet me 1-4 të punësuar.

Ndërkohë që në kategorinë e bizneseve me 5 deri në 9 punëtorë kemi një rritje me gati dyfish të numrit të grave administratore ose pronare në pesë vitet e fundit. Numri i pronareve gra ose administratore në bizneset me aktivitet ekonomik prodhues ka pasur një rënie prej 3% në pesë vitet e fundit, ndërsa te sektori i shërbimeve, është rritur me 4%.

Shqipëria e 38-a në botë për hendekun gjinor

Forumi Ekonomik Ndërkombëtar, në raportin e vitit 2017, tregon se Shqipëria gjendet e 38-a në listën globale për hendekun gjinor, në studimin e 144 ekonomive botërore.

Krahasuar me rajonin, shqiptarët i “trajtojnë” femrat më mirë se sa fqinjët. Serbia është e renditur në vendin e 40, Maqedonia e 67-a, Mali i Zi në vend të 77, Bosnjë dhe Hercegovina e 66. Vijon të jetë çudi rasti i Greqisë, i treti vit ky që rezulton me një performancë më të ulët në barazi gjinore se sa vendi ynë, i renditur në vendin e 78-të.

Sipas raportit më të fundit të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, Shqipëria gjendet e 38-a në rang global për hendekun gjinor, e krahasuar me një vit më parë, vendi ynë është përmirësuar me 23 pozicione, ku renditej i 61 në botë.

Për të realizuar këtë studim, janë marrë në konsideratë disa kritere: gjendja shëndetësore e grave, e drejta e tyre arsimore, pjesëmarrja e tyre në politikën dhe ekonominë e vendit dhe mënyra si trajtohet, si mbijeton etj.

Sipas këtyre kritereve, shqiptarët performojnë më mirë, të renditur në vendin e 31 në botë, për fuqitë politike që zotërojnë gratë, për të cilat raporti nënvizon se ky kriter e ka bërë që vendi ynë të ngjisë shumë shkallë. Ndërsa performancën më të ulët e ka në mundësitë për shëndet, të renditur të 120. Për pjesëmarrje të drejtë në ekonomi dhe mundësi për këtë, renditemi në vendin e 70, ndërsa për edukim të 87 në botë.

Vendet nordike konsiderohen sërish “ajka” e shoqërive demokratike, ku për herë të tretë, Islanda mban vendin e parë. Në fund të listës gjenden Irani, Siria dhe Jemeni, që lidhet jo vetëm me konfliktet, por edhe zakonet dhe traditat, citon raporti.monitor

 

Të fundit