Flash News

KRYESORE

“Kush e ka radhën?” Palmer para largimit nga Shqipëria: Politikanët e korruptuar të kenë frikë

“Kush e ka radhën?” Palmer para largimit nga Shqipëria:

Zëvendës/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer insiston se Reforma në Drejtësi nuk do të ndalet. Në një intervistë për Top Channel, para largimit nga Shqipëria, ai theksoi se politikanët e përfshirë në afera korruptive duhet të kenë frikë nga reforma.

“Mendoj se ka gjithmonë shqetësim se personat që përfshihen në praktika korruptive, persona që përfitojnë nga një sistem që është i shtrembër, do të punojnë kundër përpjekjeve për reforma, do të punojnë për të mbajtur, për të ruajtur një sistem nga i cili, me përkufizim, përfitojnë. Por, mendoj se me kalimin e kohës, ajo që do të shihni është përparimi në frontin e reformave, përparim në ndjekjen e vettingut në gjyqësor, përparim në Reformën Zgjedhore, përparim në luftën kundër korrupsionit publik dhe krimit të organizuar”.

Palmer nënvizoi se DASH do të vijojë të aplikojë heqjen e vizave për personat e korruptuar. “Nuk mund të flas mbi aspektet specifike të ndonjë rasti konkret vize, por ajo që mund të bëj është të theksoj angazhimin e SHBA-ve për të përdorur të gjitha mjetet që kemi për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar, për të mbështetur luftën kundër korrupsionit, për të mbështetur llogaridhënien, transparencën dhe qeverisjen e mirë. Kjo përfshin autoritete të caktuar vizash, sipas përkufizimeve në ligj”.

Pyetjes së kush e ka radhën, Palmer iu përgjigj: “[Qesh] Nuk kam ndërmend të bëj parashikime për të ardhmen, por do të them se të gjithë zyrtarët publikë që janë përfshirë në praktika korruptive, që janë përfshirë në shkeljen e besimit që iu kanë dhënë qytetarët shqiptarë, të gjithë duhet të kenë frikë”, përfundoi ai.

Të fundit