Flash News

KRYESORE

Kush e sponsorizoi koncertin e Ermal Metës dhe Rita Orës? Lidhja e vëllait të Erion Veliajt me kompaninë telefonike

Erion Veliaj u betua sot se Bashkia e Tiranës nuk ka shpenzuar asnjë lekë për dy koncertet e zhvilluara në sheshin ‘Skënderbej’ ku të ftuar ishin Ermal Meta e Rita Ora. “Unë jap dorëheqjen nga Bashkia, nëse Bashkia ka harxhuar lekë për këta artistë”, u zotua Veliaj para këshilltarëve.

Foto më poshtë është posteri sa i takon koncertit të Rita Orës, dhe krahas portretit të këngëtares janë vendosur edhe logot e ‘Albtelecom’ dhe Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, në sheshin ‘Skënderbej’ ku u mbajt koncertit, ishin vendosur disa reklama të kompanisë në fjalë.

Por ku është lidhja e kësaj kompanie me kryebashkiakun.

‘Albtelecom’ është një nga klientët e kompanisë ‘Gogel.al’, kompani reklamash në pronësi të vëllait të kryebashkiakut Veliaj, Arbër Veliaj, e themeluar në vitin në 2013 kur socialistët erdhën në pushtet. Opozita e ka akuzuar disa herë Veliaj, kur ishte ministër për dhënie tenderash kompanisë së vëllait, ndërsa nga një vëzhgim i ‘Monitor’ ‘Gogel.al’ është kompania e cila ka pasur një rritje të madhe të xhiros në vitet e fundit.

Ndërkohë, sipas një shkrimi të botuar në shtator të 2017-ës, në tv Scan “’Albtelecom’ mbylli një tjetër vit financiar me humbje të mëdha. Sipas bilancit të kompanisë, viti 2016 rezultoi me humbje në vlerën e 1.24 miliardë lekëve, vlerë kjo sidoqoftë ndjeshëm më e ulët krahasuar me vitin 2015, kur humbja kishte vlerën e 2.2 miliardë lekëve”. Po sipas këtij shkrimi, “baza e abonentëve në këtë treg ngelet relativisht e ulët, me 443 mijë përdorues aktivë në fund të vitit të kaluar, shifër kjo afro 9% më e ulët krahasuar me vitin 2015. Me vetëm 13% pjesë tregu, rritja e të ardhurave dhe sigurimi i përfitueshmërisë në këtë segment ngelet shumë e vështirë”.

Si është e mundur që një kompani e cila po e ka mbyllur vitin me humbje të marrë përsipër dy koncerte duke ftuar dy këngëtar të cilat paguhen jo pak? A është vëllai, lidhja e Veliaj me kompaninë që mori përsipër atë që kryebashkiaku e quan ‘ora e super muzikës’?

Nëse i gjithë organizimi është bërë nga kompania private dhe jo nga bashkia, pse këngëtarët janë ‘detyruar’ të vizitojë zyrën e kryebashkiakut? Pse bashkia, ka vendosur reklamat e saj në sheshin ku mbahet koncerti, kur ajo vetë nuk ka lidhje me atë se çfarë po zhvillohet? (3 vjet ndryshim; ishte një nga sloganet që kalonte në ekranet e vendosura gjatë koncertit si një reklamim për punën e Veliaj ku nuk mungonte as logo e bashkisë)

 

 

 

Të fundit