Flash News

KRYESORE

Kush është kompania “Gunvor” që Basha akuzon se ka bërë lidhjen Edi Ramës me rusët (Vendimi që morën amerikanët)

Kush është kompania “Gunvor” që Basha akuzon se ka

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka përmendur së fundmi kompaninë “Gunvor”, e regjistruar në Qipro dhe me aktivitet në disa vende të botës, si lidhje e kryeministrit Edi Rama me rusët. Ndonëse e regjistruar në vendin e Bashkimit Europian, kjo kompani është akuzuar nga Uashingtoni si e lidhur me presidentin rus, Vladimir Putin.

Aksionet e ‘Gunvor’ zotërohen nga suedezi Torbjörn Törnqvist dhe rusi Gennady Timchenko si dhe një palë e tretë e panjohur.

Në mars të vitit 2014, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi publikisht se pas kompanisë qëndron direkt presidenti rus Vladimir Putin,  duke e futur ‘Gunvor’ në “listën e zezë”. Në të njëjtin vit, ish-presidenti amerikan Barack Obama, pezulloi operacionet financiare të Gunvor në Shtetet e Bashkuara duke i sekuestruar llogaritë bankare. Kompania vijon të jetë në listën e zezë të qeverisë amerikane.

Në mediat shqiptare është raportuar vitin e kaluar për një takim të kryeministrit Edi Rama me drejtuesit e kësaj kompanie. Edhe kryeopozitari Basha shprehet se Rama i ka pritur drejtuesit e ‘Gunvor’ në një takim në zyrën e tij në Kryeministri.

Kjo kompani ka shprehur interes për naftën e Ballshit dhe raportohet se ka kërkuar edhe privatizimin e ARMO-s.

Akuza e Bashës: Dje e akuzova publikisht Edi Ramën për lidhje të errëta me kompaninë ruse Gunvor, por ai sot nuk u përgjigj, duke gatuar një tjetër sallatë ruse, si ajo e Mother Jones, për të fshehur të vërtetat. Nëse ka rrezik rus në Shqipëri, ai vjen përmes Ramës kryeministër! Jo vetëm sepse si njeri i zhytur në krim, ai është lehtësisht i shantazhueshëm nga kushdo, por sepse ai, konkretisht, ka mirëpritur ndikimin rus! Edi Rama duhet të sqarojë publikisht se kush ia solli, çfarë ka biseduar dhe çfarë i ka premtuar kompanisë Gunvor, me të cilën është takuar të paktën një herë në zyrën e tij në Tiranë. Ai duhet të sqarojë, gjithashtu ,se pse mbështet tezën e përkrahur edhe nga Rusia për shkëmbim territori midis Shqipërisë dhe Serbisë. Rama duhet të sqarojë gjithashtu aferën me kompaninë turke që do të ndërtojë aeroportin e Vlorës, kompani e cila ka kontratë me kompani shtetërore ruse për ndërtim centralesh bërthamore.

Të fundit