Flash News

KRYESORE

Kush është Renato Çami i akuzuar nga Basha? Dyshohet për implikim në vrasje dhe trafik droge

Kush është Renato Çami i akuzuar nga Basha? Dyshohet për

Ngjarja e denoncuar dje nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, sipas Policisë së Shtetit  nuk është mbajtur e fshehtë, por është referuar edhe në Prokurorinë e Fierit dhe hetimet janë në vazhdim për identifikimin e autorëve. Policia e Shtetit deklaron se ngjarja është publikuar në faqen zyrtare të Policisë në internet, asp.gov.al. Përmes këtij njoftimi, Policia thotë se ka informuar opinionin për ngjarjen e ndodhur më 2 tetor të këtij viti, që ishte denoncuar në Polici të nesërmen nga i dëmtuari.

Në lidhje me këtë rast, është regjistruar procedim penal për veprën penale “heqje e paligjshme e lirisë” dhe Policia thotë se po punohet për identifikimin e autorëve. Sipas Policisë, një shtetas 20-vjeçar, me inicialet F.L., ka kallëzuar në Seksionin Kundër Krimeve ndaj Personit në Policinë e Fierit se, më datë 2 tetor, është rrahur nga disa persona dhe është mbajtur disa orë në një banesë në lagjen “1 Maji”.

Burime nga Policia thanë se i dëmtuari nuk ka dhënë asnjë emër personi të dyshuar, por ka bërë vetëm përshkrim fizik, sipërfaqësor, duke pretenduar se nuk i njihte autorët. Por nga ana tjetër, kreu i opozitës, që i referohet denoncimit të bërë nga një punonjës i Policisë së Fierit, deklaron se autori i kësaj ngjarjeje është shtetasi Renato Çami dhe sipas tij, Policia nuk ka ndërhyrë.

Renato Çami, emri i vërtetë i të cilit është Renato Saliu, është konsideruar vazhdimisht si eksponent krimi në qytetin e Fierit. Ndërsa krahu i djathtë i tij është konsideruar shtetasi Gramoz Yzeiri, i cili deri në vitin 2009, ku u ekstradua nga Amerika, konsiderohej si një person me rrezikshmëri të lartë dhe ishte një ndër më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare. Gramoz Yzeiri, nga lagjja Sheq i Madh i Fierit, njihej si person me precedentë të shumtë penalë. Rezultonte i skeduar në listat e personave të shpallur në kërkim që nga viti 2003, i kërkuar për vrasjen e Xheladin Qelisë, ngjarje e ndodhur në vitin 1998, në qendër të qytetit të Fierit.

Për këtë ngjarje u dyshua si i implikuar edhe Renato Çami, madje kishte dyshime se vrasjen e kryen në bashkëpunim. Sipas Policisë, Gramoz Yzeiri, së bashku me Renato Saliun, kanë ndaluar shtetasin Xheladin Qelia, i cili ka qenë duke udhëtuar me një motor së bashku me një person tjetër, me inicialet Sh.J. Autorët nën kërcënimin e armëve, pasi kanë ndaluar viktimën dhe personin që e shoqëronte, kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi shtetasin Xheladin Qelia, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kryerjes se krimit, Yzeiri dhe Çami janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, raporton “Panorama”.

 

Të fundit