Flash News

OP-ED

Kush është Xhon Galt? 

Kush është Xhon Galt? 

Gent Gaba

Në shtatë vitet e fundit janë larguar si emigrantë rreth 330 mijë persona. Të dhënat e dhimbshme të INSTAT tregojnë se shqiptarët që ende duan të ikin janë shumë më pak se ata që duan të kthehen. Njerëzit që kanë ikur janë të barabartë, ose më shumë sesa numri i banorëve që ka qarku i dytë më i madh i vendit, Fieri, me 302 mijë banorë. Emigracioni, së bashku me rënien e lindshmërisë janë arsyet kryesore që po çojnë në tkurrjen e një popullsie që, dikur, ka qenë ndër më vitalet e Europës; edhe pse “ikja” ka qenë një fenomen i shënuar gjatë në librat tanë të historisë.

Mirëpo, ndryshe nga fillimi i viteve ‘90, vala e re e të arratisurve po prek pjesën më të kualifikuar të popullsisë, forcën krijuese e cila do të duhet të mbante në këmbë strukturën e shoqërisë tonë nëpërmjet fuqisë së saj intelektuale dhe prodhuese.

Nëse pjesa më e madhe e arsyeve që po detyrojnë shqiptarët të ikin janë një pasqyrimi i limontisë rraskapitëse që është ulur këmbëkryq në këtë vend, si pasojë e andrallave që tranzicioni ka ildisur në pëlhurën tonë sociale. Largimi i 2.0 (sikurse do të mund të quhej në epokën digjitale) na rrëfen për një revoltë ndaj një qeverie më arbitrare se kurrë. Ku politika dhe krimi jetojnë në simbiozë. Ku një grup i vogël peshkaqenësh (oligopole) lulëzojnë falë garancive të një grushti po aq të vogël politikanësh. Ku paratë e pista të drogës dhe korrupsionit mposhtin biznesmenët që krijojnë pasuri falë forcë së tyre prodhuese, pa konkurrencë dhe pa treg. Ku qeveria është në një fushatë të përhershme elektorale, duke zaptuar çdo sekondë të jetës publike. Ku liritë e mediave janë përherë e më të cunguara. Ku vetë liria e individit është në zgrip të ekzistencës si pasojë e akumulimit në pak duar të pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Ku zgjidhja e vetme që ofrohet është një platformë digjitale nëpërmjet së cilës propagandohet ideja se, për të qenë një shtet më i mirë, qytetarët duhet të jenë në bashkëqeverisje me një forcë politike. Ku debati publik orientohet kryesisht drejt shtresave në nevojë, duke lënë në harresë atë pjesë të shoqërisë që krijon vlerën e shtuar në këtë vend.

Të lodhur, të nëpërkëmbur, pas dekadash vuajtje dhe sakrifica në një kontekst ekonomik pak herë të begatë, ikësit duket se po shënojnë hakmarrjen më të ashpër ndaj një sistemi që ngjason përherë e më shumë me atë të përshkruar nga Ayn Rand në  librin “Revolta e Atlasit”. Heshtja që shoqëron ikjen, në të vërtetë është klithma e padëgjuar e mijëra shqiptarëve të revoltuar dhe të lodhur që, si Atlasi mitologjik, refuzojnë të bartin peshën e qiejve dhe të tokës në shpinë.

Në romanin e Rand, libri i dytë më influencues në SHBA pas Biblës, gjithçka fillon me pyetjen, që në libër bëhet shumë intriguese: Kush është Xhon Galt?

Është pikërisht njeriu që nuk u dëshpërua përballë arrogancës abuzuese të një qeverie që shtrembëron rendin demokratik të një shoqërie, që pati forcën t’i thotë jo autoritarizmit qeveritar, që i vetëm vendosi “të ndërpresë motorin e botës”. Ky inxhinier i talentuar braktis funksionet e tij dhe zhduket në një vend të panjohur në emër të refuzimit kategorik të praktikave, ideve dhe sjelljeve autoritare.

Mesazhi i Ayn Rand është i qartë: “Kemi të bëjmë me revoltën e elitave dhe biznesmenëve të suksesshëm kundër grabitjes etatiste të kompetencave, arritjeve dhe pasurisë së tyre”. Ky libër shuguron shpirtin disident, lartëson me kulturë dhe mendim sipëran, prodhues, investues, zhvillues. Të aftë të zbresin nga froni ose shkurorëzojnë “Mbretin Shtet”, që zhvat në emër të popullit.

Sigurisht, një botë distopike, por në rreshtat e të cilës, fatkeqësisht, mund të gjejmë të pasqyruar tonën nën sundimin e “Rilindjes”. Një eksperiment politik që, “ne të gjallët”, po durojmë duke numëruar çdo ditë ata që largohen nga ky vend, ndërsa pyesim vazhdimisht kujt do t’i vijë radha për të kryqëzuar duart përballë arrogancës marrakote të peshkaqenëve në Parlamentin shqiptar.

Nuk dihet nëse ata që po “ndërpresin motorin e Shqipërisë” do të kthehen një ditë të na mësojnë ato gjëra për të cilat ja vlen të jetohet dhe të luftohet. Për vlerat e lirisë, virtytit, mirëqenies dhe cilësitë e domosdoshme për t’i arritur ato.

Ajo që dihet, dhe çfarë ikja e shqiptarëve sugjeron është se, revolta ka filluar, dhe pyetja mbetet: Kush është Xhon Galt?

Të fundit