Flash News

KRYESORE

Kush ishin të burgosurit 'VIP' që votuan më 25 qershor, Emiliano Shullazi votoi i pari. Batutat gjatë procesit

Kush ishin të burgosurit 'VIP' që votuan më 25 qershor,

Ndërkohë që jashtë nuk munguan përplasjet gjatë procesit të votimit më 25 qershor, në ambientet e paraburgimit “Mine Peza” në kryeqytet është votuar në një atmosferë mirëkuptimi dhe humori.

Rreth 200 vetë votuan në ambjentet e paraburgimit tek Mine Peza, raporton Panorama.

Procesi i votimit është hapur nga Emiliano Shullazi, i pari në radhën e votuesve, për të vijuar më pas me të paraburgosur të tjerë që vuajnë masën e sigurisë “arrest në burg” në këtë institucion.

Ish-deputeti Mark Frroku, i dënuar me një vendim me 7.5 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për akuza të cilat nuk i ka pranuar, ishte në grupin e parë të votuesve. Ai përshëndeti me mirësjellje të pranishmit, duke i shtrënguar dorën secilit.

Kërkesa e njërit prej anëtarëve të komisionit për timbrimin e gishtit, shenjës së zezë në thoin e votuesit, u shoqërua herë pas here me situata gazmore plot batuta në qendrën e votimit.

I pari që u “ankua” ishte Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha, i akuzuar si një prej anëtarëve të një grupi kriminal të përpunimit dhe trafikimit të kokainës.

“Edhe me dashur unë, nuk kam se ku votoj tjetër”, u tha Hoxha komisionerëve i buzëqeshur.

Ndër të tjerë të paraburgosur që votuan në paraburgimin 302 ishin edhe ish-komandoja Neim Avdylaj dhe ish-punonjësi i policisë private, Fatjon Xhyliu.

Ata po mbahen në paraburgim pas dyshimeve se janë përfshirë në role të ndryshme në grabitjen e 3.2 milionë eurove në blindin e një banke të nivelit të dytë në rrugën e Rinasit, në shkurt të këtij viti.

 

Të fundit