Flash News

KRYESORE

Kush janë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, tre emrat që KLGJ i propozon presidentit Meta

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hapur procedurat e kandidimit për Gjykatën e Lartë, për tre pozicione të lira, një në fushën e të drejtës administrative, një në fushën e të drejtës civile dhe një në fushën e të drejtës penale.

Përmes një njoftimi për mediat, KLGJ bën me dije se Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, janë 3 kandidatët e propozuar për tu emëruar në Gjykatën e Lartë nga radhët e juristëve.

Emrat e tyre KLGJ ja ka dërguar për vlerësim presidentit Meta.

Njoftimi i KLGJ

Në përfundim të procedurave të kandidimit për secilin nga pozicionet e lira të shpallura, pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për të gjithë konkurrentët, si dhe vlerësimin sipas meritave të kandidatëve të kualifikuar, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e tre kandidatëve, konkretisht:

Me Vendimin nr. 110, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Sokol Sadushaj;

Me Vendimin nr. 111, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ervin Pupe;

Me Vendimin nr. 111, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ilir Panda.

Pas bërjes përfundimtar të vendimeve të mësipërme, sot Këshilli i Lartë Gjyqësor ia përcolli ato Presidentit të Republikës, për të vlerësuar dhe vendosur emërimin e kandidatëve të propozuar.

Këshilli i Lartë Gjyqësor po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin për pozicionin e katërt nga radhët e juristëve të spikatur, si edhe vendosi në mbledhjen e datës 26.2.2020 hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për plotësimin e pozicioneve të tjera të lira në Gjykatën e Lartë.

Të fundit