Kuvendi ka miratuar në seancën e sotme plenare me 106 pro, 3 kundër dhe 2 abstenim, shkarkimin e Besa Shahinit si ministre e Arsimit dhe Sportit dhe ka miratuar emërimin në vend të saj të Evis Kushit me 104 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim.
Menjëherë pas votimit, Evis Kushi ka shkuar menjëherë në Presidencë dhe është betuar para Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Në ceremoninë e betimit kanë qenë të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.
Kreu i Shtetit i dorëzoi Evis Kushit dekretin e emërimit Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë duke i uruar suksese në detyrën e re dhe të rëndësishme.
Kujtojmë se Evis Kushi është dhe deputet e PS-së në Qarkun e Elbasanit dhe ka një përvojë të gjatë pune në universitet, pasi nga viti 1998 deri në vitin 2013 ka qenë lektore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.