Flash News

KRYESORE

Kuzhinieri rrëfen historinë me Sadamin: kur nuk i pëlqente gatimi më merrte 50 denarë

Kuzhinieri rrëfen historinë me Sadamin: kur nuk i pëlqente gatimi

Nga një rrëfim i Abu Ali, një ish-kuzhinier i Saddam Hussein. Historia është përfshirë në librin e Witold Szablowski-t ‘Si të ushqejmë një diktator: Saddam Hussein, Idi Amin, Enver Hoxha, Fidel Castro dhe Pol Pot përmes syve të kuzhinierëve të tyre’, i cili do të botohet në prill nga ‘Penguin Books’. Përkthyer nga polonishtja në anglisht nga Antonia Lloyd-Jones dhe në shqip nga Politiko.al.

Një ditë, Presidenti Saddam Hussein ftoi disa miq në varkën e tij. Ai mori me vete disa truproja, sekretarin e tij dhe mua, kuzhinierin e tij personal, dhe u nisëm për në një lundrim teposhtë lumit Tigris. Në atë kohë, ne nuk ishim në luftë me askënd, të gjithë ishin me humor të mirë, dhe Salim, një nga truprojat, më tha: "Abu Ali, ulu, sot e ke pushim. Presidenti thotë se do të gatuajë për të gjithë. Ai do të bëjë qebapë për ne. "

"Një ditë pushim." Unë buzëqeshja, sepse e dija se në shërbimin e Saddamit nuk bëhej fjalë të tilla. Dhe për shkak se bëhej fjalë për qebapë, unë fillova të përgatisja gjithçka duhej për barbekjunë. E griva mishin e viçit dhe qengjit dhe e përzieva me domaten, qepën dhe majdanozin, pastaj i vendosa të gjitha në frigorifer, në mënyrë që të ngjitej mirë në shkopinj më vonë. Vetëm atëherë u ula.

Në Irak, çdo njeri mendon se di të skuqë (barbekju) mish. Ai do ta bëjë këtë edhe nëse nuk e di se si. Dhe ishte e njëjta gjë me Saddamin: njerëzit shpesh hanin gjërat që ai gatuante nga mirësjellja; në fund të fundit, nuk do t'i thuash presidentit që nuk ju pëlqen ushqimi që ai ka bërë. Nuk më pëlqeu kur filloi të gatuante. Por pastaj mendova me vete, "eshtë pothuajse e pamundur të prishësh qebapët."

Gjysmë ore më vonë, Salim u kthye duke mbajtur një pjatë qebapësh. "Presidenti bëri edhe disa për ju," tha ai. Unë e falënderova dhe thashë që ishte shumë e sjellshme nga ana presidentit, copëtova pak mish dhe e mbështolla me një pite. E provova dhe m’u duk sikur mora flakë! "Ujë, shpejt, ujë!" Përpiva një gotë ujë, por kjo nuk ndihmoi. "Më shumë ujë!" Mollëzat dhe nofullat po më digjeshin, dhe lotë më derdheshin nga sytë. U tmerrova. Helm, mendova. Por pse? Për çfarë? Apo ndoshta dikush po përpiqej të helmonte Saddamin, dhe e hëngra atë?

Unë jam ende gjallë. Kështu që nuk ishte helm. Por cila ishte loja e tij?

Ky ishte takimi im i parë me salcën Tabasco. Sadamit i ishte dhënë dhuratë nga dikush, por për shkak se nuk i pëlqente ushqimi shumë pikant, ai vendosi të bënte një shaka duke e provuar atë me shpenzimet e miqve të tij. Dhe mbi stafin. Të gjithë në barkë po vraponin përreth duke pirë ujë ndërsa Saddami ishte ulur dhe qeshte.

Njëzet minuta më vonë, Salim u kthye për të pyetur nëse më pëlqente ushqimi. Unë isha i zemëruar, kështu që thashë, "Nëse do të kisha prishur unë mishin ashtu, Saddami do të më kishte shkelmuar në prapanicë dhe do të më thoshte të paguaja për të."

Ai e bëri këtë ndonjëherë. Nëse nuk i pëlqente ushqimi, të detyronte ti jepje paratë. Për mishin, orizin ose peshkun. "Ky ushqim është i pangrënshëm", thoshte. "Duhet të më paguash pesëdhjetë dinarë."

Asnjëherë nuk e prisja që Salim ta përsëriste atë që thashë te presidenti. Por kur Sadam e pyeti si reagova, ai I kishte treguar, përpara të gjithë të ftuarve. Saddam e dërgoi përsëri Salimin për të më marrë. U tmerrova. Nuk e dija si do të reagonte Saddami. Ai nuk kritikohej. As ministrat, as gjeneralët, e lëre më një kuzhinier.

Saddami dhe miqtë e tij ishin ulur në tryezë. Disa nga të ftuarit kishin sy të kuq; me sa duket, ata kishin ngrënë ashtu si unë qebapët me salcë Tabasco. "Dëgjova që nuk ju pëlqyen qebapët e mi", tha Saddami me një ton shumë serioz. Të gjithë më shikonin. Nuk mund të filloja papritur të lavdëroj ushqimin; ata do ta dinin se po gënjeja.

Fillova të mendoja për familjen time. Nuk e dija se çfarë mund të ndodhte. Por nuk prisja asgjë të mirë.

"Nuk ju pëlqejnë, apo jo?", tha përsëri Saddami. Dhe befas filloi të qeshte. Pastaj të gjithë njerëzit të ulur në tryezë filluan gjithashtu të qeshnin. Saddami nxori pesëdhjetë dinarë, ia dorëzoi Salimit dhe tha: "Ke të drejtë, Abu Ali, ishin shumë pikante. Po i jap paratë për mishin e shkuar dëm. Unë do të gatuaj edhe disa qebapë të tjerë, por pa salcë këtë herë. A do? ”

I thashë po.

Kështu që ai më gatoi ca qebapë pa Tabasco. Këtë herë ata ishin shumë të mirë, por më duhet tiu them sërish: është e pamundur që qebapët t’i gatuash keq.

Të fundit