Flash News

KRYESORE

La qelinë e paraburgimit, Lefter Rexhmati rrëfehet me lot në sy: Më arrestuan barbarisht në mesnatë!

38-vjeçari Lefter Rexhmati, nga fshati Bushat i Kukësit, la sot qelinë e paraburgimit, me masën e dhënë nga gjykata, “detyrim paraqitje”.

I ftuar sonte në 'Top Show', me lot në sy 38-vjeçari rrëfeu ngjarjen e Kukësit. Lefteri tregoi se protesta  e së shtunës nuk ishte organizim politik, dhe se kuksianët u provokuan nga policia për dhunën.

“Akuza thonte që kemi goditur forcat e policisë dhe kemi djegur pikën ku paguhej tarifa, por unë nuk kam goditur asnjë polic. Mua më kanë goditur dhe jam gjakosur”, u shpreh Lefteri.

Ai më tej tregon se policia e ka arrestuar në mënyrë barbare gjatë natës. “Isha në gjumë në furgon kur erdhi policia. Unë as nuk e dija që kishin shkuar më përpara në shtëpi. I pyeta pse më arrestuan por nuk m’u përgjigjën. Në 3:30 më kanë arrestuar dhe ishte një arrestim barbar. Ishte arrestim sikur të kisha vrarë njeri", u shpreh Lefteri, duke treguar makthin që përjetoi ai dhe familja.

38 vjeçari ka treguar dhe arsyet pse doli në protestën për “Rrugën e Kombit”.  "Dola në protestë sepse tarifa e rrugës është shumë e shtrenjtë për mua. Vajtje-ardhje më binte 30 mijë lekë (të vjetra). Nuk më del llogaria, duke shtuar që jam vetëm unë që punoj në shtëpi”.

I pyetur nëse do të dilte në protestat e radhës, Lefteri shtoi, "Nuk mund të dal më në protestë, pasi nuk më lejon gjykata".

Kujtojmë që nga 23 të arrestuar nga protesta në "Rrugën e Kombit", 11 prej tyre mbetën në burg, 10 personave i'u dha masa "detyrim paraqitje" dhe 2 të tjerëve "arrest shtëpie".

Të fundit