Flash News

KRYESORE

‘Lajme të paverifikuara dhe protagonizëm i panevojshëm i politikanëve’/ Këshilli Shqiptar i Medias: Si u trajtua situata e pas tërmetit

‘Lajme të paverifikuara dhe protagonizëm i panevojshëm i

Këshilli Shqiptar i Medias ka reaguar në lidhje me pasqyrimin që iu bë nga media situatës së shkaktuar në vend pas tërmetit 5.8 ballësh që ra ditën e shtunë.

Duke marrë shkas që nga titujt e përdorur e deri tek lajmi që parashikonte rënien e një tërmeti 6 ballësh në orën 23.00 të dielën, KSHM shprehet se kjo është jo vetëm qesharake, por edhe një gazetari e keqe.

Sipas KSHM, lajmet duhen verifikuar nga gazetarët, edhe pse mund të jenë botuar në media të tjera, sidomos kur bëhet fjalë për lajme që mund te kenë pasoja për publikun.

Në reagimin e tyre, Këshilli Shqiptar i Medias thotë se raportimi mediatik pas situatës që u krijua nga tërmeti nuk u ndihmua as nga strukturat shtetërore. Në reagimin e tyre theksohet se, ishte i panevojshëm protagonizmi i politikanëve, në një kohë kur duhet të flisnin profesionistët. Gjishtashtu, KSHM e cilëson si të panevojshëm edhe vendimin e ministres së Arsimit Besa Shahini për mbylljen e shkollave.

Reagimi i plotë i Këshillit Shqiptar të Medias

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim ndaj mënyrës joetike sesi shumë media, elektronike apo audio-vizive, pasqyruan situatën e tërmetit në Shqipëri, në kundërshtim me praktikat e gazetarisë serioze dhe të Kodit shqiptar të Etikës së Gazetarit.

Së pari, përdorimi i pavend e i tepruar i termave frikëndjellës si “i tmerrshëm”, “i frikshëm”, “terror”, “dramatike”, “panik”, është jo-profesional dhe madje indukton psikoza në audiencë, sikurse edhe tentativa e pareshtur e gazetarëve për të kërkuar “panikun” edhe aty ku nuk ishte e për ta përcjellë në raportim.

Së dyti, botimi i lajmeve të paverifikuara dhe nganjëherë dhe qesharake, që nga “shembja” e Shkëmbit të Kavajës e deri te “përmbytjet” që presim pas tërmetit apo “parashikimi” i orës së tërmeteve, është pjesë e një gazetarie jo-profesionale për të mos thënë gazetarie të keqe. Mediat nuk duhet të botojnë lajme të paverifikuara, aq më tepër me pasoja për publikun, pavarësisht se mund t'i ketë publikuar një portal tjetër. Verifikimi i “lajmit” për parashkimin e tërmetit të orës 23:30 ishte gjëja më e thjeshtë në botë, por asnjë media nuk mori përsipër ta bënte atë, edhe pse mjaftonte një kërkim i thjeshtë në google për të lexuar që tërmetet NUK mund të parashikohen.

Së treti, ky raportim jo-etik nuk u ndihmua nga strukturat shtetërore, të cilat nuk ndihmuan në pasqyrimin e saktë të situatës me protagonizmin e panevojshëm të ministrave e ministreshave në një moment kur duhet të flisnin profesionistët, e deri tek vendimmarrjet e paarsyetuara si mbyllja e shkollave. Por pavarësisht paaftësisë që strukturave shtetërore për të qetësuar dhe informuar saktë publikun, është detyrë e medias të mos bëhet përshpejtues i panikut, siç edhe ndodhi.

Mënyra më e mirë që ka publiku për t'u mbrojtur nga gazetaria e keqe, jo-etike, panikndjellëse, është që të fillojë të dallojë mediat profesioniste nga mediat jo-etike. Mënyra më e mirë për t'u mbrojtur nga gazetaria e keqe është të kuptoni kush e bën atë e të mos e konsumoni.

Së shpejti, KSHM do të prezantojë një sistem për të ndihmuar publikun të dallojë mediat etike e të besueshme nga ato jo-profesionale.

Të fundit