Flash News

OP-ED

Lamtumirë, z. Rama!

Lamtumirë, z. Rama!

Red Varaku

Rama po përjeton momentet politike më të vështira të karrierës së tij.

Pjesën më të madhe të kohës e kalon në bunkerin e tij në Surrel, si një monark tashmë i përmbysur por, që po jeton i frikësuar dhe i terrorizuar nga populli i tij.

Revoltat që janë ndezur në Shqipëri, sidomos gjatë muajit dhjetor, si dhe ato që pritet të ndodhin pas 16 shkurtit, e kanë tronditur dhe paralizuar aq shumë atë qoftë psikologjikisht, qoftë politikisht, saqë tashmë është i paaftë prej ditësh për të rimarrë veten.

Është kthyer në një njeri që po e përzënë gati nga çdo auditor dhe nga çdo studio. Është aq i lodhur fizikisht dhe psikologjikisht, sa edhe në shfaqje humori dështon në mënyrë spektakolare, me të gjitha përpjekjet e klloun-artistëve të talentuar si Mamaqi me shokë.

Ai po përjeton katastrofën mediatike më të rëndë të jetës së tij politike.

Është i ezauruar nga nervat.

Gjatë këtyre ditëve vihet re lehtësisht një shprehje në fytyrën e tij tejet e lodhur dhe e rënduar, e cila me bojën e djeshme në parlament mori fizionominë e duhur. Po ashtu vihen re herë pas here edhe shenja tensioni nervor, të cilat nuk jemi mësuar t’i shikojmë te Rama.

Rama po kalon një krizë të rëndë psikologjike edhe nga fakti që Shqipëria është tërësisht e izoluar ndërkombëtarisht, si edhe në prag të një krize sistemi.

Përpjekja e tij për të shpëtuar veten nëpërmjet shkarkimit të ministrave rezultoi një fiasko dhe një dështim i merituar. Strategjja që ai ndoqi dhe po ndjek është e dështuar. Masat që po ndërmerr janë një përpjekje e shëmtuar për të shpëtuar pushtetin e tij dhe familjarëve të tij. Ato po zbulojnë çdo ditë një burrë më të vogël në shpirt se gjatësia e Braçes.

Por përpos kësaj, ajo që po e bren dhe po e gërryen çdo ditë në shpirt është fakti që po krijohet perceptimi që atë po e braktisin të gjithë, edhe ata që e kanë votuar deri dje, madje edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

Tanimë të gjithë janë të bindur që ai nuk është më i aftë të drejtojë vendin. Popullariteti i tij ka kapur minimumin historik. Kjo humbje e popullaritetit e ka detyruar të jetojë edhe më i izoluar.

Tashmë jeton i vetmuar në bunkerin hermetik dhe të padepërtueshëm në Surrel, i cili këto ditë acari ka marrë pamjen e një bunkeri Surreal.

Dimri po bëhet i padurueshëm dhe çdo ditë që kalon njerëzit po binden që 'lideri i madh', tashmë i lodhur dhe i dorëzuar, nuk është më në gjendje të mbajë timonin.

Ai po pret fundin e tij politik, i terrorizuar dhe i braktisur, në bunkerin e tij të ftohtë të betonit.

Të fundit