Flash News

KRYESORE

Largimi i Ditmir Bushatit, këto janë kandidaturat që përfliten për Ministrinë e Jashtme

Largimi i Ditmir Bushatit, këto janë kandidaturat që

Edi Rama zyrtarizoi sot largimin e Ditmir Bushatit nga drejtimi i Ministrisë së Jashtme në mandatin e dytë qeverisës. Bushati ka qenë një prej të besuarve të Ramës, i cili e mbështeti pavarësisht kritikave të shumta që i bëheshin nga LSI (atëherë në qeveri) dhe opozita demokrate, duke e mbajtur në postin e ministrit për katër vite me radhë.

Por, ashtu siç deklaroi përpara ambasadorëve, Rama kërkon një përmbysje të madhe në shërbimin e jashtëm, e mesa duket Ditmir Bushati nuk i ka rezultuar të jetë personi i aftë për këtë lëvizje.

Rama foli për ministrin e ri që do të marrë përsipër këtë detyrë, por pa përmendur emër, ndonëse njoftoi se qeveria e re do të behet e ditur të dielën.

Që pas përfundimit të zgjedhjeve është folur shumë për zëvendësuesin e Bushatit në krye të diplomacisë. Emri më i promovuar deri më tani është ai i Lindita Nikollës, ish-ministres së Arsimit. Nikolla mori përsipër reformën në arsim gjatë mandatit të parë, duke qenë në vijnë e parë të kritikave të opozitës.

Përveç Nikollës, është përfolur shumë edhe për Mimi Kodhelin në krye të Ministrisë së Jashtme. E sigurt është se Kodheli nuk do të drejtojë më Mbrojtjen e Shqipërisë, vendim që ajo ka lënë të kuptohet muaj më parë.

Por Rama mund të bëjë një zgjedhje befasuese, pasi nuk kanë munguar lajmet se kryeministri shqiptar është duke kërkuar për një personalitet në Kosovë për ta emëruar ministër të Jashtëm.

Mediat pranë qeverisë shqiptare dhe ato në Kosovë kanë promovuar emrat e Baton Haxhiut, Vlora Çitakut, Veton Surroit dhe Mimoza Kusari Lilës, por nuk ka munguar as promovimi i Rufi Osmanit nga mediat shqiptare në Maqedoni.

Sa i përket të ardhmes së Ditmir Bushatit, ajo mbetet e paqertë për shkak edhe të ristrukturimit të qeverisë. Gjithsesi, ekziston mundësia që deputeti i Shkodrës të marrë drejtimin e Ministrisë së Integrimit ose të Ministrisë së Diasporës, kjo e fundit u njoftua sot nga Rama se do të krijohet në këtë mandat qeverisës.

Edi Rama ia thotë në sy Ditmir Bushatit se nuk do të jetë më ministër i Jashtëm

Të fundit