Flash News

OP-ED

Laura Codruța Kövesi, prokurorja që 'pastroi' Rumaninë, po vjen në Europë?

Laura Codruța Kövesi, prokurorja që 'pastroi'

Guy Verhofstadt

Si kreu i Drejtorisë Kombëtare Anti-Korrupsion të Rumanisë (ADN) ndërmjet 2013 dhe 2018, Laura Codruţa Kövesi ishte përgjegjëse për qindra dënime të profilit të lartë dhe u kthye në idhull të lëvizjes ndërkombëtare të transparencës. Në një vend që përpiqet të ndërtojë një sistem të ndershëm drejtësie, pas pranimit në BE në vitin 2007, ajo u dallua si një avokate e vendosur për sundimin e ligjit.

Në korrik 2018, Kövesi u detyrua të tërhiqej nga ADN nga ministri i Drejtësisë i Rumanisë, Tudorel Toader, me urdhër të kreut të Partisë Social Demokratike (PSD), Liviu Dragnea, të cilin ADN-ja e dënoi në vitin 2015 me akuzën e manipulimeve gjatë fushatës. Ajo është tani kandidate e mbështetur nga Parlamenti Europian për të udhëhequr zyrën e Prokurorit Publik Europian (EPPO), por Dragnea po bën gjithçka mundet për ta diskredituar.

Ndonse Dragneas nuk i lejohen më postet publike, partia e tij udhëheq qeverinë e koalicionit të Rumanisë dhe një agjenci vëzhgimi e drejtuar nga PSD e ka akuzuar Kövesin për korrupsion, në mënyrë që ta parandalojë që të udhëtojë jashtë Rumanisë. Lakejtë e Dragneas pohojnë se Kövesi e ka tejkaluar autoritetin e saj, një mënyrë tjetër për të thënë se ajo ka qenë shumë efektive në hetimet e korrupsionit të klasës politike rumune.

Largimi i Köves nga ADN-ja e ka zemëruar publikun rumun dhe 100,000 vetë kanë nënshkruar një peticion që bën thirrje që ajo të rikthehet. Që nga ikja e saj, ADN-ja duket se ka pushuar së funksionuari dhe si pasojë imazhi ndërkombëtar i Rumanisë ka pësuar zbehje. Megjithë përpjekjet e forta të Köves, Rumania renditej midis vendeve më të korruptuara të BE në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International në vitin 2017 (pas Bullgarisë dhe Hungarisë). Dhe tani, situata po përkeqësohet. Duke shpërfillur paralajmërimet e Komisionit të Venecias të Këshillit të Europës, më shumë se 180 ligjvënës rumunë kanë mbështetur një paketë ligjore që do t'i mbronte politikanët nga akuzat për korrupsion.

E ardhmja e Rumanisë si një demokraci liberale e begatë tani është në duart e popullit të saj. Shpresa është që sundimi i ligjit do të rivendoset dhe se vendi do të kthehet në rrugën e reformës. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse shtetasit rumunë i mbështesin ata që dalin kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Përgjigja nga pjesa tjetër e BE-së, së pari dhe më e rëndësishmja, duhet të jetë të bërit bashkë me Parlamentin Europian në mbështetje të kandidaturës së Kövesit për të udhëhequr EPPO, që do të fillojë nga fundi i vitit 2020. Siç qëndrojnë gjërat, Këshilli i Europës, që aktualisht drejtohet nga Rumania, mbështet një kandidat tjetër. Përtej kësaj, Komisioni Europian duhet të bëjë më shumë sesa thjesht të kritikojë prapakthesën e qeverisë së udhëhequr nga PSD sa i takon sundimit të ligjit. Autoriteteve rumune duhet t'u bëhet një presion i vërtetë.

Pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian, në fund të muajit, do të formohet një Komision i ri nën udhëheqjen e një presidenti të ri. Një nga prioritetet kryesore të tij duhet të jetë zhvillimi i një pakti obligues që i angazhon të gjitha vendet anëtare dhe institucionet e BE-së për të mbrojtur demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Siç kanë treguar vitet e fundit, BE-ja ka nevojë për instrumente më të besueshme dhe efektive për të shqyrtuar shkeljet e vlerave të saj themelore dhe për të mbajtur parasysh shkelësit. Të gjitha grupimet kryesore të partive të BE-së tashmë janë zotuar për të ndjekur një marrëveshje të re për zbatimin e parimeve të sanksionuara në traktatet themelore të Bllokut. Pas zgjedhjeve, qytetarët europianë duhet të mbajnë presionin mbi përfaqësuesit e tyre të zgjedhur për të siguruar që ata nuk do të harrojnë.

Për më tepër, Këshilli dhe Parlamenti Europian duhet të miratojnë legjislacionin që lejon pezullimin e subvencioneve të BE-së për qeveritë e vendeve anëtare që nuk i përmbahen rregullave dhe standardeve të bllokut. Qeveritë që minojnë sistematikisht sundimin e ligjit dhe shtypin e lirë nuk duhet të përfitojnë nga fondet e kohezionit që synojnë pikërisht qëllimin e kundërt.

Ky është një moment kritik për BE. Presidenca e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, kaosi i Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe rritja e populizmit në të gjithë demokracitë perëndimore, kanë siguruar mbulim politik për politikanët e paskrupullt që t'i nënvleftësojnë parimet e demokracisë liberale. Por fatura për premtimet luksoze të bëra nga të ashtuquajturit iliberal-demokratë ka ardhur koha të paguhet.

Liberal-Demokratët kanë një mundësi për të ndryshuar dëmin që populistët kanë bërë, por ata duhet të veprojnë shpejt dhe me vendosmëri. Pro-europianët shumë shpesh shigjetohen si përkrahës të  status quo-së. Kjo duhet të ndryshojë. Përkundër politikanëve që përbuzin parimet demokratike dhe zvogëlojnë të drejtat e qytetarëve të tyre gjithnjë e më shumë, liberal-demokratët duhet ta bëjnë të ditur se po ofrojnë instrumente të reja efektive për të siguruar llogaridhënien. Cari i ri i anti-korrupsionit i BE-së është vetëm një instrument i tillë, dhe Kövesi duket i vendosur që ta bëjë EPPO një kampion të fuqishëm dhe dinamik të drejtësisë.

BE-ja dikur konsiderohej si një bastion i shpresës për ata që jetonin nën tirani, despotizëm dhe kleptokraci. Është koha për të rimarrë atë mantel. Karriera e guximshme dhe shumë efektive e Kövesit në luftën kundër korrupsionit në Rumani ka treguar se çfarë, një person i autorizuar me ligj mund të arrijë. BE duhet ta përqafojë atë dhe çdo gjë të cilën ajo përfaqëson. Lufta kundër korrupsionit në Rumani dhe vende të tjera është një betejë për shpirtin e Evropës.

*Guy Verhofstadt, ish kryeministër i Belgjikës, është President i Grupit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën Group (ALDE) në Parlamentin Europian dhe autorEurope’s Last Chance: Why the European States Must Form a More Perfect Union.

**Marre nga Project Syndicate. Perkthimi: Politiko.al

Të fundit