Flash News

OP-ED

Leksioni i vërtetë nga protestat rumune: BE nuk na shpëton nga korrupsioni 

Leksioni i vërtetë nga protestat rumune: BE nuk na shpëton nga

Gentian Gaba

Gushti i nxehtë i politikës rumune, dhe ai i vakët i politikës shqiptare, bëri që në vendin tonë protestat masive të qytetarëve rumunë të ngjallin një farë “xhelozie” politike. Qendra e Bukureshtit, e mbushur me qindra mijëra njerëz, që kërkonin largimin e qeverisë, shumë prej të cilëve emigrantë që ishin kthyer enkas për të ngritur zërin ndaj korrupsionit, i bëri rumunët të dukeshin ‘kampionët e demokracisë’. Ndërsa ne, dhe emigrantët tanë, të dukemi si ‘turistët’ e kësaj forme të qeverisjes.

Por, sikurse ndodh më barin, përherë e më të gjelbër të komshiut, rreziku është që, edhe protestat e të tjerëve, duken më të mëdha dhe më cilësore se tonat. Madje, ato mund të na shtyjnë në nxjerrjen e përfundimeve të gabuara mbi situatën sociale dhe politike të Rumanisë dhe Shqipërisë. Mos të harrojmë: “familjet e lumtura janë të gjitha njësoj, ndërsa familjet fatkeqe, janë fatkeqe ndryshe nga të tjerat”.

Fatkeqësia e përbashkët që na lidh me ‘familjen rumune’ është e shkuara jonë aspak e lavdishme komuniste. Ndërsa ajo që na bën fatkëqij në mënyrë të ndryshme është forma se si u ndamë nga coftina sovjetike. Është gjërësisht e pranuar që, me ndëshkimin kapital të diktatorit Çaushesku, rumunët kryen një katarsis të domosdoshëm për daljen në arenën demokratike. Ndërsa te ne diktaturën komuniste e zuri nën vete muri i Berlinit, duke lënë pas pasoja politiko-morale të pazgjidhura, që ende sot janë një brengë në ndërgjegjen kombëtare.

Këto dy trajektore, pa hyrë në detaje të tjera kulturore dhe politike, duhet të mjaftojnë për të mos kërkuar ngjashmëri, apo për të evidentuar pangjashmëritë midis shqiptarëve dhe rumunëve. Ajo çka do të ishte më me vlerë në këtë kontekst, përtej numrave në sheshet e Tiranës apo të Bukureshtit, është të kuptuarit pse një shtet anëtar i Bashkimit Europian si Rumania, ka probleme kaq të theksuara me korrupsionin dhe, si pasojë, me vetë demokracinë? Nëse në rrugëtimin tonë drejt “tokës së premtuar” europiane na kërkohet luftë ndaj korrupsionit, sundim i shtetit ligjor, dhe një drejtësi e pavarur; pse një shtet që ka më shumë se një dekadë në BE mbahet peng nga andrallat që karakterizojnë një vend në tranzicion si i yni? Mos vallë e kemi idealizuar këtë organizatë ndërkombëtare?

Në fakt, në Rumani ka patur protesta, rregullisht, që prej vitit të kaluar, kur Partia Social Demokratike erdhi në pushtet dhe paraqiti ndryshime në sistemin gjyqësor dhe Kodin penal. Ndërhyrje të kritikuara si një hap i madh pas për sundimin e ligjit, prej kohës kur Rumania u bashkua me Bashkimin Europian në vitin 2007. Por, asgjë nuk ka ndryshuar; përkundrazi, Laura Codruza Kövesi, prokurorja në krye të DNA-së (akronim i Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit rumun, simotra e BKH-së që ende nuk po ngrihet në Shqipëri), e krijuar përpara hyrjes në Bashkimin Europian, me objektiv luftimin e korrupsionit të nivele të larta, u shkarkua. Dhe, përtej disa reagimeve të vendeve antare, qëndrimet institucionale ndaj Rumanisë, shtetit që në 2019 do të marrë Presidencën e radhës të BE-së, janë ende të vobekta.

Sigurisht, kjo situatë nuk është vetëm një kambanë alarmi për Bashkimin Europian, por edhe për ne që kërkojmë të aderojmë në këtë “familje të lumtur”, me shpresën se, kur të jemi në gjirin e saj do të zgjidhim në mënyrë përfundimtare të gjitha ato probleme që kanë shënuar dhe shënojnë tranzicionin tonë. Rasti rumun tregon krejt të kundërtën. Korrupsioni, i vjetër sa koha, përpara se të jetë një fenomen juridik, është kulturor dhe social, prandaj nuk do të mjaftojnë gardianët e BE-së, për ta çrrënjosur nga institucionet shqiptare. Në rastin më të mirë do ta marrim me vete në Europë, në rastin më të keq do të na lëjë jashtë saj. Prandaj, leksioni i vërtetë që vjen nga protestat e një shteti të integruar në vitin 2007 është se Europa nuk na shpëton dot nga korrupsioni, atë duhet ta luftojmë vetë, dhe sa më parë.

E bëjmë dot?

Të fundit