Flash News

KRYESORE

Letra/ “Do vritesh me snajper”, kërcënohet me jetë deputeti i PD-së; Salianji: Nuk më bën përshtypje, do vijoj të denoncoj

Një letër kërcënuese ka mbërritur në adresë të deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Në letrën në fjalë, e cila është e datës 31 tetor 2018 dhe dërguar nga burgu i Fushë-Krujës, deputeti kërcënohet me jetë dhe se do të qëllohet me snajper.

Letra ka mbërritur në adresën e Salianjit nga një i burgosur i quajtur Agim, i dënuar me 24 vite burg për vrasje, i cili i shkruante deputetit se do vritej me snajper nga një ish-punonjës policie, i quajtur Dorian Duli, 38 vjeç, me origjinë nga Parruca e Shkodrës, i cili ka qenë i dënuar, por është liruar nga qelia në 21 janar të vitit 2016.

Për këtë rast, Salianji ka bërë denoncim në Prokurorinë e Përgjithshme dhe për dijeni dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.

Ndërkohë, në një reagim për BalkanWeb, Salianji thotë se rasti po ndiqet nga institucionet teksa thekson se ai do të vijojë me denoncimet.

“Ju keni marrë sot info për këtë çështje por unë kam kohë që kam dijeni dhe nuk e kam gjykuar si çështje publike. Madje bërja publike i jep pike pikërisht këtyre formave të intimidimit apo intrigës që të ushtrohet presion nëpërmjet përdorimit të delikuenteve.

Në dijeninë time rasti po ndiqet nga institucionet.

Personalisht të gjitha këto i kam parashikuar dhe nuk më bëjnë përshtypje, çfarëdo qoftë sajesë e qeverisë apo përpjekje delikuentësh. Nuk më bën asnjë përshtypje dhe siç mund ta keni ndjekur kam vazhduar denoncimet e krimit edhe në majat më të larta të pushtetit”, shprehet Ervin Salianji.

 

 

 

Të fundit