Flash News

KRYESORE

Letra e Mark Shllakut për të shoqen para pushkatimit: Fytyrat tuaja më dalin përpara syve e s’më lanë me dekë

Mark Shllaku është dënuar nga regjimi komunist me pushkatim për agjitacion dhe propagandë dhe pjesëmarrje në një celulë të PSD. Ishte 31 vjeç kur u pushkatua duke lënë pas gruan, Angjen dhe dy vajza të vogla.

Pak ditë para se të pushkatohej, Juli dhe e ëma, Angjia e takuan për pak minuta Markun. Atë ditë, Marku i tha Angjes, se kur t’i merrte sendet e tij personale pas pushkatimit, atje do të gjente një letër me disa informacione të rëndësishme.

Sot, Kujto.al e publikon të plotë letrën që Mark Shllaku e shkroi dy ditë para se të pushkatohej. Letra nuk e ndihmoi Angjen e fëmijët që ta gjenin trupin e tij. Juli, njëra nga vajzat e ruan prej 70 vitesh këtë letër, me shpresën se një ditë do të mund të gjejë eshtrat e të atit, Mark Shllaku.

Letra e Mark Shllakut për të shoqen, Angjen

E dashtuna Angje e fëmijë!

Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin.

Mos u mërzit për mue vetëm m’i rrit fëmijët me hir të Zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borxh i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.

E dashtuna Angje!

Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë.

Angje! Ne tu mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çast të mramë të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit.

E dashtuna Angje!

Të lutem me m’i ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.

Të lutem me mu interesue për eshtrat e të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i marrë eshtrat e me mi çu në një vorr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.

Hallall të gjithëve dhe ty të parës. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.

Marku

Të fundit