Flash News

KRYESORE

Letra e rrallë/ 23 vjet nga vdekja e Nënë Terezës, humanistes së madhe shqiptare të bekuar nga Vatikani

Sot, 23 vjet nga ndarja nga jeta e humanistes së madhe shqiptare, nobelistes dhe të bekuarës së Vatikanit, Shen Nënë Tereza.

Nënë Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup.

Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë.

Këto janë shifrat e mesit të viteve të 80-ta, dhe deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.

Dy janë mrekullitë të njohura botërisht që i hapën rrugën shenjtërimit të murgeshës shqiptare.

E para ishte dëshmia e Monika Besra nëna e 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës në Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak. Ngjarja ndodhi në vitin 1998 një vit pas vdekjes së Nënë Terezës. Ajo rrëfeu se ndjekëset e saj e çuan në një kishë dhe i thanë të lutej përpara fotos së shqiptares. Ato i kishin dhënë një medaljon të Nënës Terezës të cilin e vendosën mbi stomakun e saj. Kur u zgjua Besra tha se dhembja e sëmundja ishte zhdukur. Kjo mrekulli u njoh nga në vitin 2003 Papa Gjon Pali i Dytë.

Mrekullia e dytë u njoh në vitin 2015 nga Papa Françesku.

Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru.

Shën Tereza ka ndërruar jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë. 5 Shtatori është cilësuar si Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës dhe është shpallur festë zyrtare.

Papa Françesku më 04 korrik të vitit 2016, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit ka shpallur Nënë Terezën, si Shën Tereza.

Shenjt Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Letra e rrallë me fragmente në shqip

Për herë të parë, janë bërë publike tri letra origjinale të shenjtës Tereza me fragmente në shqip, dhe një fotografi e rrallë gjatë vizitës në Shkodër.

Letrat janë publikuar në Qendrën për Hapje edhe Dialog në ekspozitën në nderim të katërvjetorit të shenjtërimit të Shenjtës Terezë (5 shtator 2016), ku u ekspozua një prej dorëshkrimeve origjinale të saj me pasazhe në shqip.

Letrat që i përkasin gushtit 1989, tetorit 1989 dhe janarit 1990, i drejtoheshin Ramiz Alisë, në cilësinë e Presidentit të Republikës, me qëllim lejimin e ardhjes së saj në Shqipëri e më pas, të çeljes së misionit të saj edhe në vendin tonë.

“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni”, shkruan Nënë Tereza në letrën për autoritetet shqiptare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Disa nga thëniet e Nënë Terezës:

-Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe

-Ngaqë nuk mund ta shohim Krishtin, nuk mund ta shprehim dashurinë tonë për Të, por fqinjët i shohim gjithmonë, prandaj mund të bëjmë për ta çfarë do të donim ta bënim për Krishtin, nëse do ta shihnim

-Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin

-Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtet pa fund

-Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie

-Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit

Të fundit