Flash News

KRYESORE

"Letra e Tahirit false. Kryeprokurori nuk duhet të zgjidhet nga njëra palë; situata politike është delikate"

"Letra e Tahirit false. Kryeprokurori nuk duhet të zgjidhet nga

3 Pyetje për Arian Vasjarin

Politiko.al

1- Top Channel ka publikuar një dokument zyrtar të Prokurorisë së Katanias dhe intervistat të juristëve italianë të cilat e bëjnë vërtetimin e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri të duket fals. Ku e kanë futur këto fakte rrjedhën e ngjarjeve të 'çështjes Tahiri'?

Anomalia formale e dokumentit të paraqitur nga zoti Tahiri nuk kishte nevoje për analizën e avokatëve italianë që të kuptohej si një shkresurinë e pavlerë nga pikëpamja juridike dhe administrative. Dokumenti nuk përmbushte as kërkesat më elementare të një dokumenti të falsifikuar, e aq më pak, të një dokumenti zyrtar. Aspekti substancial, pra përmbajtësor i dokumentit, e ngre në relevance penale çështjen. Duhet kujtuar se, tipologjitë e dokumenteve zyrtarë që kanë të bëjnë me kurrikulën penale, të shkuar, aktuale apo në proces të një subjekti, janë dokumente standard që nënkupton se, autoriteti që i lëshon nuk ka diskrecion në formulimin e tyre. Formulimi është një përcaktim ligjor. Konkretisht në këtë rast, është neni 110 bis i Kodit të Procedurës penale italiane. Letra që paraqiti zoti Tahiri nuk ka kurrfarë lidhje me formulimin që parashikon ky nen për dokumentin në fjalë. Pra, shkurt dhe qartë, shkresa e ish ministrit Tahiri është juridikisht false, nuk është lëshuar nga një autoritet publik kompetent (prokuroria e Katanias) dhe, në vështrimin tim, e rëndon seriozisht pozitën penale të tij. Sepse, pas kësaj bëhet e detyrueshme pyetja: ç’nevojë ka pasur zoti Tahiri të paraqiste para opinionit publik një dokument, i cili nuk provon kurrsesi, nëse ai është ose jo nën hetim nga prokuroria e Katanias lidhur me dosjen “Habilaj”?

2- Shoqëria civile, e cila ishte shumë e zhurmshme dhe kritike për muaj me radhë, befas 'stonoi' në finish kur nuk dërgoi emrat e vet për institucionet e vetingut. Çfarë ndodhi sipas jush?

Duke mos pasur për momentin asnjë fakt ose provë që të më çojnë në përfundimin se, shoqëria civile është përfshirë në mënyre aktive apo pasive në dështimin e kostituimit të KLP-së, nuk ndihem i gatshëm të përfshihem në konspiracionin që ka pasionuar jo pak njerëz këto ditë. Por, njëherazi kam një pyetje e cila, tërthorazi e amniston shoqërinë civile. Pyetja është: nëse kandidaturat e shoqërisë civile do të ishin përcaktuar, apo edhe do ishte përzgjedhur ai që do të shkonte në KLP, a do të ishte e mundur të konstituohej ky organ? Përgjigja është: jo! Sepse, anëtarët e prejardhur nga prokuroria ende nuk kanë kaluar testin e vetingut, pra janë në proces verifikimi ende. Atëherë, a ka arsye që të shpallim një fajtor pa faj, ashtu siç realisht është shoqëria civile në këtë rast?

3-A mundet dhe a duhet të zgjidhet Prokurori i ri i përkohshëm i Përgjithshëm me 36 vota të mazhorancës?

Nëse më pyet a mundet, them se mundet plotësisht. Nuk ka asnjë pengesë kushtetuese apo ligjore që Prokurori i përkohshëm të zgjidhet nga mazhoranca me një shumicë të tillë. Së pari, kushtetuta nuk përfshihet fare në çështjen e Prokurorit të përkohshëm. Kushtetuta rregullon vetëm institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Së dyti, është ligji 97, saktësisht dispozitat e tij tranzitore, pika 2 e nenit 109, i cili ia “delegon” përkohesisht, funksionet e KLP-së, Kuvendit kur i njeh këtij të fundit kompetencën që “me vendim të caktojë një prej prokurorëve me më shumë eksperiencë”, të ushtrojë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm. Pra, nuk egziston asnjë përcaktim ligjor mbi shumicën përmes së cilës duhet zgjedhur Prokurori i përkohshëm.

Nëse më pyet a duhet, them se absolutisht nuk duhet. Së pari, sepse besoj fort që fryma e Kushtetutës duhet transferuar si një commune denominator në gjithë procesin e zbatimit të reformës në drejtësi. Para së gjithash, te momenti aplikues i ligjeve organike të saj, përfshirë edhe dispozitat tranzitore. Së dyti, konteksti delikat politik, nuk përligj asnjë sipërmarrje të njëanshme sa i përket një funksioni me një ngarkesë të tillë siç është ajo e Kryeprokurorit, qoftë ai edhe i përkohshëm.

Por, respekti për faktin më bën të mos harroj se, Kryeministri i bëri një ftesë publike opozitës për ta tejkaluar së bashku këtë impas institucional. Opozita thotë se ishte ftesë e pasinqertë. Mundet… Nuk e di…Di që, nëse e pranonte ftesën, do të thotë se, nuk do të pranonte një kandidat të njëanshëm apo të papërshtatshëm. Kaq mjafton që ajo mos ta refuzonte apriori ftesën…

 

Të fundit