Flash News

KRYESORE

Leutrimi nga Kosova nuk është “viktima” e vetme e turizmit në Shqipëri; çfarë ndodhi me hungarezen një muaj më parë

Leutrimi nga Kosova nuk është “viktima” e vetme e turizmit

Një mesazh fyes i dërguar nga punonjësit e hotelit ‘Ylli i Detit’ në Durrës për një pushues nga Kosova, Leutrim B., ka ndezur sërish debatin për cilësinë e turizmit në vendit tonë dhe nëse ekziston paragjykimi për shqiptarët nga ana tjetër e kufirit që zgjedhin të kalojnë pushimet në plazhet e Shqipërisë.

Në Prishtinë reagimet kanë qenë të shumta dhe pjesë e debatit u bë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili la të kuptohet se e pranon ekzistencën e këtij paragjykimi, ndërsa kërkon nga shqiptarët këtej kufirit, që të ndryshojnë sjelljen nëse duan të zhvillohen nëpërmjet turizmit.

Ky debat është i hershëm por ka marrë më shumë vëmendje me zhvillimin e rrjeteve sociale ku me dhjetëra pushues nga Kosova publikojnë çdo vit raste flagrante se si pronarët e hoteleve dhe restoranteve në Shqipëri i mashtrojnë për çmimet e dhomave dhe ushqimeve, si dhe nuk tregojnë respekt ndaj tyre.

Por a është kjo një sjellje që drejtohet specifikisht vetëm kosovarëve apo lidhet me standardet e dobëta që ka industria e turizmit në Shqipëri?

Për gati 20 vite, shqiptarët e Kosovës ishin pothuajse të vetmit që zgjidhnin plazhet në Shqipëri për të kaluar pushimet verore dhe shpesh herë mungesa në cilësinë e shërbimit është interpretuar si paragjykim ndaj tyre. Por me shtimin e numrit dhe zgjerimin e rrethit të turistëve të huaj që vijnë në vendin tonë, rastet si ai me të cilin u përball Leutrimi, tregojnë se viktima të mungesës së zhvillimit të kësaj industrie në Shqipëri nuk janë vetëm pushuesit nga Kosova.

Në mes të muajit qershor, Politiko.al denoncoi rastin e një turisteje nga Hungaria, e cila u kërcënua nga pronari i hotelit në Ksamil pasi anuloi rezervimin e dhomës. Gruaja, që shoqërohej edhe nga vajza e mitur, kishte mbetur e pakënaqur nga kushtet e hotelit dhe kishte vendosur të drejtohej për në vend tjetër.  Pas këtij vendimi, në celularin e saj i mbërriti një mesazh kërcënues dhe banal.

Vetëm pas publikimit të ngjarjes në media dhe reagimit të komunitetit vendas në Ksamil, pronari i hotelit u detyrua t’i dërgonte turistes së huaj një mesazh ndjese, ndonëse ajo kishte vendosur tashmë të ndërpriste pushimet në Shqipëri dhe të nisej për në bregdetin e Greqisë.

Raste ku denoncohen sjellje të ngjashme nuk mungojnë as në faqe të ndryshme në internet, ku turistët e huaj vlerësojnë peizazhin dhe cilësinë e ujit në plazhet shqiptare, por ‘ngelin në klasë’ shërbimin. Kjo është edhe pika kritike e turizmit shqiptar, i cili pavarësisht përpjekjeve gjatë viteve të fundit, vijon të mbetet një industri kaotike që po shfrytëzon maksimalisht kuriozitetin e të huajve për të parë nga afër një vend pranë tyre dhe të panjohur.

Të fundit