Liga Profesioniste i përgjigjet Fidel Yllit: Prisnim mbështetje, kërkesat janë premtime të Ramës

“Liga Profesioniste e Futbollit” i është përgjigjur të autorizuarit nga qeveria për të negociuar me ta Fidel Yllit dhe ministres së Ekonomisë, Anila Denaj, të cilët gjatë një konference për mediat gjatë ditës së djeshme, të cilët nuk pranuan kërkesat e tyre dhe i quajtën si shantazh ndaj qeverisë.

Në një letër të dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste, Dritan Kadia, shprehet se priste një qëndrim më mbështetës për kërkesat, të cilat sipas tij janë premtime të bëra fjalë për fjalë nga kryeministri Edi Rama përpara 18 muajsh

Më tej, Kadia i shtron disa pyetje, të cilat sipas tij, nuk iu dha përgjigje nga konferenca e djeshme.  Në fund, ai e fton Fidel Yllin të shkojë për një takim në selinë e ligës dhe se t’i përcjellë kryeministrit se janë të gatshëm të bisedojnë vetëm me të.

Letra e plotë:

I dashur zoti Fidel!

E ndoqa me vëmendje konferencën e shtypit që ju dhe Ministria e Financave, zonja Denaj dhatë dje për mediat.

T’ju them të drejtën prisja një qëndrim më mbështetës për kërkesat e Ligës, të cilat në fakt janë premtime të drejtpërdrejta e të bëra fjalë për fjalë, nga Kryeministri përpara 18 muajsh.

Sigurisht që është e drejta juaj të bëni politikë me gjithçka, por komuniteti i futbollit nuk ndihet i nderuar nga kjo prirje. Konferenca e djeshme e shtypit nuk i dha përgjigje disa pyetjeve:

1) Pse nuk i përmbushni, derisa i konsideroni të drejta kërkesat e Ligës?

2) A janë prej kohësh të njohura për qeverinë kërkesat e ligës?

3) Përse ministria e financave do të bisedojë me ne, kur ajo dhe qeveria, siç deklaroi edhe dje, janë kundër kërkesave të ligës?

4) Pse qeveria bën një të ashtuquajtur ligj për sponsorizimet që nuk e ka asnje vend europian e ballkanik? Pse nuk miraton një ligj si Maqedonia, Kosova, Hungaria, Gjermania etj etj, “Ligjin për sponsorizimin”, që propozon Liga?

Unë si Sekretar i Ligës mbetem ne dispozicionin tuaj për çdo informacion që ju kërkoni. E përsëris edhe një herë ftesën në adresën tuaj, të vini për një takim në selinë e ligës.

Gjithashtu, ju lutem t’i përcillni Kryeministrit si i vetmi person që mund të krijojë një vullnet politik të shumicës për zgjidhjen e katër kërkesave, gatishmë e përfaqësuesve të tryezës së presidentëve për tu takuar e biseduar me të.

Me respekt,

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste

Dritan Kadia.

Tiranë, më 16 shtator 2020