Flash News

KRYESORE

“Liri a vdekje”, Basha premton rezistencë: Nuk ndalemi deri në rrëzimin e Ramës; hakmarrja popullore po afron

“Liri a vdekje”, Basha premton rezistencë: Nuk ndalemi deri

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka premtuar sot se protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilën e akuzon si të korruptuar dhe të kapur nga krimi.

Në protestën e radhës përpara Parlamentit, Basha theksoi se kjo lëvizje do të hedhë themelet e një demokracie amerikane në Shqipëri.

“Askush nuk do të ketë mundësinë t’ju dhunojë, t’ju gjobisë, t’ju godasë dhe t’ju marrë bukën e fëmijëve nga goja. Vëllezër dhe motra, ne jemi këtu jo thjesht për të konfirmuar verdiktin e pakthyeshëm popullor të 16 shkurtit dhe 16 marsit, largimin e hajdutit Edi Rama, por për të nisur një rrugëtim që të mos ketë më rrethana për t’ju vjedhur votën dhe të ardhmen tuaj. Kjo do të marrë fund një herë e mirë. Me protestat që nuk do të ndalen deri në qeverinë e kusarit Rama, ne kemi nisur në të gjithë Shqipërinë një bashkëbisedim kombëtar që do të çojë drejt hedhjes së themeleve të një demokracie evropiane dhe amerikane. Ndarja dhe balancimi i pushtetit, një parlament që do i takojë popullit, një drejtësi e pavarur, janë themelet e ndryshimit që ne së bashku do të sjellim”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike.

Ora e ndryshimit po vjen, tha Basha, për një shtet që do i takojë qytetarëve.

“Misioni më i madh që do ta çojmë deri në fund është shembja dhe rrëzimi i qeverisë së krimit, e cila sot nuk është legjitime në sytë e shumicës së shqiptarëve. Edi Rama pak ditë më parë, në antimitingun më të turpshëm që nga koha e Ramiz Alisë, kërcënoi popullin e tij me luftë. Ne nuk trembemi nuk tërhiqemi, liri a vdekje, demokraci a vdekje”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha paralajmëroi edhe oligarkët që po mbështesin kryeministrin Rama duke theksuar se “ora e hakmarrjes popullore po afron”.

Të fundit