Flash News

KRYESORE

Lirimi i Genc Tafilit, reagon Presidenca: Të fillojë urgjentisht verifikimi ndaj gjykatës

Lirimi i Genc Tafilit, reagon Presidenca: Të fillojë urgjentisht

Presidenca ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Krujës për të nisur hetim ndaj gjyqtares Enkeleda Hoxha, e cila pranoi të lirojë nga burgu Genc Tafilin, autor i vrasjes së drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.

Tafili është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kryer në vitin 2000, por gjyqtarja vendosi lirimin e tij pas 17 vitesh qëndrim në qeli.

Megjithatë, prokuroria reagoi kundër këtij vendimi duke e konsideruar Genc Tafilin si person me rrezikshëmri të lartë. Organi i akuzës u shpreh se gjyqtarja ka marrë vendim në kundërshtim me ligjin dhe kërkoi ndërhyrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në këto kushte, presidenti Ilir Meta, i cili është edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka reaguar nëpërmjet kësaj deklarate: "Presidenti i Republikës, me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi u njoh me lajmin dhe reagimin publik të institucionit të Prokurorisë, për veprimtarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, në lidhje me lirimin e shtetasit Genc Tafili, ka urdhëruar menjëherë Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në përputhje me kërkesat e ligjit, të fillojë urgjentisht verifikimin e rastit në fjalë dhe veprimtarinë proceduriale të kësaj gjykate.

Presidenti i Republikës garanton se pretendimet e institucionit të Prokurorisë do të verifikohen nga Inspektoriati dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e ligjit.

Presidenti i Republikës mbështet të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe Prokurorinë në veprimtarinë e tyre, në luftën kundër krimit dhe sundimit të ligjit".

I përfshirë në vrasjen e Arben Zylyftarit rezultoi edhe vëllai i Genc Tafilit, Admir Tafili, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm.

Të fundit