Flash News

KRYESORE

Lirimi i ‘të fortëve’ nga burgu, Felaj veçon rastin e Endrit Dokles dhe tregon se kush do të hetojë gjyqtaren e Krujës

Lirimi i ‘të fortëve’ nga burgu, Felaj veçon rastin

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, deputetja socialiste, Ermonela Felaj, e ftuar ne ‘Real Story’ me gazetarin Sokol Balla, u ndal te paketa “Anti-KÇK” e miratuar nga qeveria dhe që sot ka nisur punën për goditjen e krimit të organizuar.

Felaj u ndal edhe te lirimi nga burgu i disa prej kriminelëve ose siç quhen ndryshe ‘të fortët’, konkretisht te rasti i bujshëm i Endrit Dokles, i liruar nga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, për të cilin deputetja tha se do të hetohet nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.

“Lirimet nga burgu kanë qenë skandaloze dhe shërbejnë për të kuptuar se deri ku duhet të shkojë ushtrimi i fuqisë nga ligjvënësi. Ka rëndësi për të parë si është liruar Dokle. Gjykata ka ndjekur dy rrugë për lirimin e të dënuarve të tillë, rasti më i njohur ka qenë kur ka ndërhyrë Gjykata e Lartë, dhe të dënuarit e përjetshëm i ka ndryshuar në të dënuar me 24 vite burg, duke iu dhënë të drejtën për lirim.

Rasti i kësaj gjyqtareje të Krujës dhe të tjerëve, që kanë vepruar si ajo, do të trajtohet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Në rastin kur gjyqtarë e prokurorë nuk do të veprojnë siç urdhëron ky ligj, do të nisë procedimi penal ndaj tyre”, përfundoi Felaj.

Të fundit