Flash News

KRYESORE

Liroi të riun me precedent kriminal, Ministria e Drejtësisë kërkon shkarkimin e gjyqtares: Pas vettingut të gjithë do ndëshkohen

Liroi të riun me precedent kriminal, Ministria e Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të shkarkojë nga detyra gjyqtaren Herila Çela, pasi akuzohet se ka liruar një person me precedentë kriminalë.

"Gjyqtarja Herila Çela, duke mbyllur sytë para fakteve e provave kuptimplota, ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi, për një shtetas, i cili është kapur nga policia e Vlorës duke udhëtuar i armatosur, edhe pse ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi. Ky shkelës i ligjit, 2 herë i arrestuar nga policia në harkun kohor të pak muajve, lihet përsëri në shtëpi nga Gjykata, falë gjyqtares Herila Çela, e cila nuk e ka për herë të parë shfaqjen në një pozicion tejet shqetësues në raport me ligjin - gjë për të cilën ajo ka qenë edhe më parë subjekt i inspektimit të Këshillit të Lartë Drejtësisë.

Gjyqtarja është në një pozicion shqetësues me ligjin. Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar inspektoratit të KLD të nisë hetimin për veprimin e gjyqtares në lidhje me rastin. Do e ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë para KLD masat deri në shkarkimin e gjyqtares”, u shpreh zv.ministri i Drejtësisë Toni Gogu, i cili gjithashtu bëri edhe një paralajmërim për gjyqtarët e prokurorët që do t’i nënshtrohen vettingut.

“Vettingu që po zbulon pasuri të paimagjinueshme me shkelje ligjore të panumërta duhet të pastrojë llumin në togën e zezë. Ata gjyqtarë që mendojnë se do ja hedhin duke ikur nga sistemi, por jo, pas vettingut është radha e ndëshkimeve për të gjithë, se nuk është pastrimi i llumit, por garantues i një sistemi që të bëjë drejtësi”, u shpreh Gogu në një deklaratë për mediat.

 

Të fundit