Flash News

KRYESORE

Lista e AKEP, reagojnë drejtuesit e mediave ‘online’: Informacioni është i pakonfirmuar dhe çon në shpifje

Lista e AKEP, reagojnë drejtuesit e mediave ‘online’:

Disa drejtues të mediave ‘online’ kanë reaguar për përfshirjen e tyre në një listë të AKEP ku kërcënoheshin me mbyllje të faqeve nëse nuk regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Kristina Voko, drejtoreshë e BIRN Albania, thotë se njoftimi për shtyp i AKEP tregon moskuptimin flagrant të ligjeve të vendit si dhe një kontroll të drejtpërdrejtë nga qeveria të një institucioni që me ligj është i pavarur nga qeveria.

“Siç duket, fushata anti-shpifje e kryeministrit ka filluar me një institucion shtetëror që publikon të dhëna të pavërteta, pa procedurën e duhur të kontrollit të fakteve dhe pa komunikuar me palët e prekura,” tha Voko.

“Një email i thjeshtë duhej të kishte mjaftuar për të mësuar më shumë mbi BIRN dhe statusin tonë fiskal,” tha Voko. “Siç duket, AKEP nuk është e interesuar të verifikojë informacionin e vet. Është e turpshme, sepse informacioni i pakonfirmuar është ai që shpie në shpifje, që është aktualisht edhe shqetësimi i kryeministrit.”

BIRN Albania është një organizatë jofitimprurëse e regjistuar në Gjykatën e Tiranës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe që respekton në tërësi ligjet fiskale të vendit. Reporter.al është një faqe interneti e publikuar në Shqipëri dhe forma e saj e kontaktit përfshin të dhënat mbi ponësinë e faqes si dhe adresat e kontaktit online dhe ato fizike.

Edhe portali ‘Respublica’, me botues Endri Meksin, ka publikuar niptin dhe një reagim kundër kryeministrit Edi Rama.

“Mjafton një shikim i shpejtë i listës për të verifikuar se ajo nuk është e saktë. Kjo pasi pjesë e listës është edhe Respublica.al, e deklaruar që ditën e parë të ekzistencës se saj. Në vitin 2010 kur z.Rama ishte në opozitë. Këtë e vërteton edhe çertifikata e regjistrimit të Respublica.al Por me kryesorja është se AKEP konfirmon që listen ia kanë dërguar, dhe nuk e ka përpiluar vet. Pyetja që kërkon përgjigje është kush e bëri këtë listë që serviret si pasqyrë e mediave online të paregjistruara?”, thuhet në reagimin e këtij portali.

TPZ.al, portal i drejtuar nga Ylli Rakipi, paralajmëron AKEP me padi nëse nuk ndryshon listën.

“Fatkeqësisht, AKEP nuk ka bërë verifikimet e duhura, sepse kjo media online është e regjistruar konform të gjithë legjislacionit në fuqi. Lista e publikuar ditën e sotme nga AKEP, është një shpifje, sa i përket TPZ.AL. Siç kemi komunikuar edhe me drejtuesit e këtij institucioni, ne presim amendimin e listës, në të kundërt do të padisim këtë institucion për shpifje që cënon rëndë imazhin tonë”, thuhet në reagim.

Për listën e AKEP ka reaguar edhe Neritan Sejamini, botues i Exit.al, i regjistruar si organizatë jo fitimprurëse.

“Autoriteti i komunikimeve elektronike AKEP ka nxjerre nje urdher pa numer, pa date, pa firmoses, pa asnje baze apo reference ligjore me te cilin urdheron mbylljen, brenda tre diteve, nder te tjera, te exit.al, nese nuk regjistrohet si biznes. Tre dite me pare, te njejtin urdher e leshoi me Twitter Kryeministri Rama. AKEP eshte, ne leter, institucion i pavarur”, thotë Sejamini.

-Përgjigje e Politikos për Kryeministrin: Vendimi juaj nuk mund të dalë mbi vendimin e Gjykatës

Të fundit