KRYESORE

"Lista është e hapur por ka disa rregulla", Gjiknuri flet për amendamentet në Kodin Zgjedhor

"Lista është e hapur por ka disa rregulla", Gjiknuri flet

Përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri , ka bërë një lidhje përmes Skype me emisionin "Kjo javë" në Neës24 me gazetaren Nisida Tufën.

Gjiknuri tha se mbeten të hapur për kompromis me opozitën e bashkuar: “Opozita të vijë dhe të bëjë komente mbi atë draft. Drafti nuk është perfekt, ka reflektuar ndryshimet kushtetuese, ka vendosur pragun zgjedhor që kërkon Kushtetuta, ka vendosur mekanizmin e hapjes së listave dhe votimin me votë preferenciale të 100 % të kandidatëve. Koalicionet ekzistojnë, mund të përbëhen nga disa parti politike por ata do t’i shkojnë elektoratit me një listë. Në fund të fundit ne kemi sjellë një draft nëse kanë kundërshti t’i thonë aty të japin propozime, por jo të kundërshtojnë apriori për shkelje të marrëveshjes sepse marrëveshja e 5 qershorit, nuk u shkel u miratua.”

Damian Gjiknuri komentoi amendamentet e propozuara një ditë më parë për Kodin Zgjedhor ku maxhoranca pretendon hapje 100% të listave të kandidatëve në zgjedhje:

"Fakti që votohet çdo kandidat do të thotë që ne kemi respektuar parimin kushtetues që vota është parapëlqyese. Pra, zgjedhësi ka të drejtë të vendosë kryqin e tij dhe të zgjedhë një nga kandidatët e listës që ka propozuar partia. Tani dihet që listat, partia i propozon sepse këtu konkurrojnë partitë politike. Partitë politike, kanë edhe një ekip dhe është elektorati që gjykon. Se dëgjoj edhe këta që thonë po pse nuk llogaritet vetëm individi pse partia, nëse ti si individ ke votën, dil atje propozohu nga zgjedhësit.

Në momentin që hyn me partinë politike ti ke edhe dividentin e forcës sime, që ka një elektorat të sajin. Atëherë nëse kryetari i partisë i shkon zgjedhësit me një listë jo shumë të përshtatshme zgjedhësit kanë mundësinë nga poshtë të ngrenë kandidatët që ata mendojnë që kanë mbështetjen më të madhe. Lista është e hapur por ka disa rregulla që i japin vlerë kandidatit që ka peshë elektorale, që ti duhet të demonstrosh që ke më shumë vlera se partia që përfaqëson. Ky është një sistem që e kanë një pjesë e mirë e vendeve europiane që kanë lista të hapura me votë parapëlqyese sic edhe ka qenë edhe sistemi danez, kroat, austriak.

Pra, partia politike shkon me një listë, ka një renditje dhe kjo renditje është e lirë të ndryshohet nga zgjedhësit. Kjo është hapja e listës 100%, pra do të thotë që nuk ka kandidatë të mbrojtur, sepse koncepti i mbylljes së një pjese të listës ka qenë që një pjesë e kandidatëve nuk do të votoheshin fare, por zgjedhësi kishte të drejtë të jepte votë parapëlqyese për një kandidat tjetër. Lista e hapur do të ketë edhe probleme më të mëdha në administrim. Kemi një numërim të dytë përveç numërimit për partitë, tashmë edhe për kandidatët dhe sa më i thjeshtë të jetë sistemi, aq më shpejt del rezultati, aq më pak zgjedhës konfuzohen.”

Ditari politik

Të fundit