Flash News

KRYESORE

Listat e zeza dhe atletet e bardha janë asgjë duke qenë gjithçka: Janë spin

Listat e zeza dhe atletet e bardha janë asgjë duke qenë

Alfred Lela

Edi Rama ja ka dalë të triumfojë në formë, aty ku nuk ka mundur të ngrejë thelb: Ai ka arritur të kthejë rrjedhën e ligjërimit publik në favor të tij duke përdorur shpesh mjete dhe situata qe te japin përshtypjen e së disfavorshmes. Pa u stërmunduar, duke qenë se e ka ndihmuar tipologjia e vet, karakteri sanguin, të vetëndjerit, tipare që janë bashkuar me shpirtin e epokës i cili ka formën, njëpërdorimëshen, të përkohshmen, likuiditetin, argëtuesen, si mënyra të të ekzistuarit.  

Si 'listat e zeza' të hedhura në Facebook, mbushur me 100 emra 'kulakësh' të administratës shtetërore, ashtu edhe atletet e bardha në Samitin (aq serioz) të Triestes, janë forma të së njëjtës përmbajtje, komunikimit publik. Pra përpjekje për manipulim.

Komunikimi politik e njeh tashmë si koncept, atë që quhet 'marrdhënie të përhershme publike në qeverisje'. Do të thotë: ti e vazhdon pr-in, marketingun dhe propagandën, pa pushim, edhe kur je në pushtet; komunikimi dhe patosi nuk janë vetëm një zhanër i opozitës, por bëhen domosdoshmëri edhe e qeverisjes.

Ky 'komunikim i vazhdueshëm' ka edhe një synim tjetër, përveç krijimit të bindjeve apo perceptimeve pozitive për gjërat që po bën qeveria. Pikërisht atë që quhet 'inxhinjering i agjendës' (term që i atribuohet Edward Bernays), pra prodhim i një ligjërimi sundues ku çështjet e tua, apo ato që të interesojnë ty, 'bombardohen' në drejtim të opinionit dhe mbahen lart në shkallinën mediatike të lajmit.

Këto nuk janë gjëra thelbësore për qeverisjen e mirë, biem dakord te kjo, por janë të domosdoshme për komunikimin e mirë.  

Vlerësimi me pikë i zyrtarëve është pjesë e këtij Teatri Propagandistik të Ramës. Megjithatë, nuk mund të mos dallosh qesharaken te ky rast. Për dy arsye: Së pari, Rama e di dhe e sheh veten si 'diktator të ndritur', një Dikush që e prodhon ndryshimin nga 'lart-poshtë' dhe, përdor, kur i shkrepet, një antiteknikë, që është 'thirrja e popullit nën armë', pra ndryshimi që vjen nga 'poshtë-lart'.

E dyta arsye, ka të bëjë me kapërcimin e kompetencave institucionale, dhe mosrespektimin e pavarësisë së pushteteve. Edhe pse Reforma në Drejtësi është miratuar dhe institucionet e vetingut, ose janë ngritur ose janë në rrugë e sipër, Kryeministri 'thërret gjykatat popullore' për t'i anulluar të gjitha. Për të thënë se Ai, Udhëheqësi, dhe Ata, Populli, në një simbiozë 'hyjnore', e kanë pushtetin në këtë vend. Këta janë amatorizma në qeverisje dhe profesionalizma në Propagandë (ku bashkohen djallëzia me populizmin).

Paradoksalisht, ky është një nga ato raste kur spin*-i i Ramës i intereson Partisë Demokratike. Çdo dritë që merr mbi vete Kryeministri është në favor të partisë më të madhe opozitare, për sa kohë ajo është e mbërthyer në një proces të brendshëm gare, përplasjesh apo lëpirjeje plagësh. Basha, me zgjuarsi, po i rri larg vëmendjes mediatike, dhe po përqendrohet te puna që ka në dorë.

Por, shtatori vjen shpejt dhe Rama, si pjesë e 'sindromës së propagandës' do ta vazhdojë përditë 'ingjinjeringun e axhendës' dhe 'marrdhëniet e vazhdueshme publike në qeverisje'.

Opozitës i duhet të prodhojë axhendën e vet ose të shpresojë se 'shumë spin e anulon spinin'.

*Spin është termi i përdorur për të përshkruar fabrikimin e lajmit apo manipulimin e tij, me qëllim që qeveritë të mbajnë aktiv një imazh pozitiv për veten. Prej këtej vjen edhe termi 'spin doctor' (mjeshtra të manipulimit).  

Të fundit