Flash News

KRYESORE

Lleshaj rrëzon planin e Xhafajt: Për vetting-un në polici duhen 3 milionë dollarë; do e ndryshojmë

Lleshaj rrëzon planin e Xhafajt: Për vetting-un në polici duhen 3

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshajt i ka propozuar sot Kuvendit që të ndryshojë ligjin e miratuar në 2018-ën për procesin e vetting-ut në Policinë e Shtetit. Plani i ish-ministrit Fatmir Xhafaj për rivlerësimin e punonjësve të policisë është rrëzuar nga pasardhësi i tij në detyrë.

“Ligji i miratuar në vitin 2018 për vlerësimin kalimtar të punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës, SHÇBA është i një rëndësie të jashtëzakonshme, dhe qëllimi i ndryshimeve të ndërmarra së fundi, të cilat janë propozuar sot, dhe për të cilin kërkojmë dhe miratimin tuaj, lidhet me përmirësimin e procesit, bërjen e tij më dinamik dhe përfundimin e tij në kohën e duhur”, u shpreh Lleshaj nga foltorja e Kuvendit.

Sipas Lleshajt, me ligjin që është në fuqi, për vetting-un në polici nevojiten 3 milionë dollarë, ndërkohë që afati për mbylljen e procesit në mars të vitit të ardhshëm është i paarritshëm.

“Problemi themelor që lidhet me këtë situatë ka të bëjë me kohën, e cila është në dispozicion për të mbyllur procesi e Vettingut. Sipas ligjit aktual, procesi i Vettingut për 13 mijë punonjës të Ministrisë së Brendshme duhet të mbyllet në marsin e vitit të ardhshëm, ndërkohë që procesi ende nuk ka filluar dhe praktikisht është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që ky proces të mbyllet ashtu sikundër ligji e parashikon, pra në marsin e vitit të ardhshëm. Një arsye tjetër që ka të bëjë me kërkesën për të ndryshuar ligjin lidhet me volumin e madh administrative që kërkohet për të realizuar atë, kërkohet që rreth 240 punonjës me kohë të plotë, nga strukturat e Policisë dhe të SHÇBA, të shkëputen nga funksioni i tyre bazë dhe ti dedikohen Vettingut me kohë të plotë, pra kjo është një volum shumë i madh administrativ dhe këtij volumi administrativ i bashkëshoqërohet dhe një faturë jo e parëndësishme financiare, e cila shkon rreth 3 milionë dollarë, kosto e parashikuar e këtij procesi”, u shpreh ministri.

Por çfarë ndryshimesh propozon ministri Lleshaj?

Së pari, tha ai, propozohet që punonjësit e SHÇBA-s, e cila është strukturë e dedikuar për t’u kujdesur për integritetin e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, të kalojnë Vettingun në fazën e pare të tij. Ligji aktual parashikonte që SHÇBA-ja të kalonte në një fazë të dytë, jo në fazën e parë. Ne propozojmë që SHÇBA të kalojë në fazën e parë me qëllim që SHÇBA-ja të shndërrohet në aktorin kryesor të procesit për më tej, ashtu sikundër e parashikon dhe ligji organik i saj, si strukturë, siç e përmenda më parë, ekziston për tu kujdesuar që Policia e Shtetit dhe Grada e Republikës të jenë struktura të pastra, me integritet dhe të angazhuara vetëm në shërbim të ligjit dhe në asnjë lloj shërbimi tjetër.

Vlerësimi i fazës së parë do të mbetet i pandryshuar, siç është, do të kryhet nga një Komision i Jashtëm prej 15 anëtarësh dhe një staf teknik prej 15 personash. Komisioni i Jashtëm ndërkohë është ngritur dhe ka filluar punën e tij dhe kjo ka shënuar praktikisht fillimin e procesit zyrtar të Vettingut dhe pritet që në një kohë të shkurtër të fillojë dhe të hapen dhe dosjet e para të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe Gradës së Republikës, me qëllim që rezultatet e para të procesit të jenë të prekshme në një kohë shumë të shkurtër.

Ndryshimi i dytë që propozohet qëndron në faktin SHÇBA-ja do të shndërrohet në një strukturë, e cila do të kryejë më tej Vettingun për pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit, pra fazën e dytë dhe të tretë, për punonjësit e nivelit të mesëm dhe atyre të nivelit bazë.

Pra, ndryshe nga sa e parashikon ligji aktual ku ky vlerësim në fazën e dytë dhe të tretë do të kryhej nga struktura ad-hoc, me propozimet e bëra ky vlerësim duhet të bëhet nga vetë SHÇBA-ja.

Të fundit