Flash News

KRYESORE

Loja në KQZ, LSI dhe PS i braktisën Gledion Rehovicën dhe Aqif Rakipin në momentin e fundit

Votimi 5 me 0 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e mandateve për deputetët Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi, tregoi për një lojë të përmbysur në momentet e fundit nga PS dhe LSI.

Kjo ishte mbledhja e dytë që KQZ zhvillonte pas asaj të 3 janarit, kur anëtarët e PS dhe LSI bashkuan votat për të kërkuar më shumë informacione nga Prokuroria.

Në të dyja mbledhjet, anëtarët e këtyre dy forcave politike shprehën rezerva ndaj kërkesës së Prokurorisë, madje Gëzim Veleshnja, përfaqësues i LSI, u shpreh sot se provat për heqjen e mandateve nuk ishin të mjaftueshme.

E megjithatë, në fund të mbledhjes, Rakipit dhe Rehovicës iu hoqën mandatet me tre vota të PS dhe dy të PD, anëtari i LSI nuk mori pjesë në votim.

PS e kishte shumë të thjeshtë të shpëtonte të preferuarin e kryeministrit Edi Rama, Aqif Rakipin, pasi kishte shumicën në KQZ, por nuk e bëri.

Edhe anëtari i LSI me braktisjen e seancës dha mesazhin se kjo parti e kishte braktisur deputetin e Beratit. Të paktën mbledhja e 3 janarit tregoi se LSI dhe PS mund ta gjenin lehtë gjuhën e përbashkët dhe nëse i njëjti skenar do të përsëritej edhe sot, Rehovica nuk do e kishte humbur mandatin e deputetit.

Të fundit