Flash News

KRYESORE

Lojëra politike me drogën? Moniva Macovei ‘nuk njeh’ institucionet e BE-së dhe i beson qeverisë shqiptare

Lojëra politike me drogën? Moniva Macovei ‘nuk njeh’

Monica Macovei, deputete në Parlamentin Europian dhe drejtuese e Delegacionit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, ka kërkuar nga opozita shqiptare që të mos bëjë lojëra politike me çështjen e kanabisit.

Gjatë diskutimit në Tiranë me deputetë të PD-LSI-PS, Macovei iu referua shifrave të qeverisë shqiptare dhe ‘Guardia di Finanza’ për asgjësimin e drogës, pa u ndaluar në asnjë moment në raportet e BE-së dhe DASH.

“Nuk e vë fare në dyshim vërtetësinë e këtyre shifrave sepse ka ardhur nga burimi, organizata që merret me këtë gjë dhe as nga unë, as nga politikanët e tjerë. Është mirë t’u referohemi fakteve dhe shifrave dhe të mos bëjmë lojëra politike. Nëse doni të luftoni kanabisin, do të ishte mirë të shikonim shifrat reale”, u shpreh Macovei.

Por, në nëntor të 2017-s, Qendra Europiane e Drogave dhe e Varësisë së Drogave (EMCDDA), ndryshe nga qeveria e Edi Ramës, e klasifikonte Shqipërinë në raportin e saj si  një vend prodhues të kanabisit. EMCDDA, agjenci e Bashkimit Europian, ka ngritur shqetësimin se vendi pas kanabisit e kokainës, së fundmi po kthehet në një nyje të trafikimit të heroinës dhe se një pjesë e drogave të forta mbetet në vend.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur të njëjtin shqetësim për vendit tonë.

Ndërkohë, ditën që Macovei mbërriti në Tiranë, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj firmosi një marrëveshje me Komisionerin europian për Migrimin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, që i jep FRONTEX-it hapësirë në kontrollin e kufijve shtetëror të Shqipërisë. Ky është rasti i parë që një shtet jo anëtar i Bashkimit Europian i dorëzon kufinjtë Agjencisë europiane të Rojes bregdetare e kufitare. Shkak për këtë vendim është bërë trafiku i drogës.

Të fundit