Flash News

KRYESORE

Londër/ Linda Rama: Gratë shqiptare në krye të posteve më të larta, kurrë më të arsimuara se sot

Londër/ Linda Rama: Gratë shqiptare në krye të posteve

Bashkëshortja e Kryeministrit shqiptar Linda Rama e ka konsideruar Shqipërinë një rast suksesi, duke theksuar se gratë shqiptare sot janë më të arsimuarat se kurrë në historinë e vendit.

Sipas saj, janë rrëzuar edhe barrierat që i diferenconin gratë nga burrat në lidhje me arsimimin.

“Gruaja shqiptare nuk ka qenë kurrë më e arsimuar sesa sot. Vetëm 5% e grave të brezit të nënave tona ishin me arsim të lartë. Sot, janë gjashtë herë më shumë vajza me diplomë universitare në grupmoshën 25-39 vjeç. Sot nuk ka hendeqe gjinore në arsimin e detyrueshëm, çka është arsye për optimizëm lidhur me mbylljen në jo shumë kohë të hendekut të ngushtë gjinor që ende ekziston në arsimin e mesëm. Sot, ka shumë më shumë vajza sesa djem që ndjekin arsimin e lartë dhe kjo do të ishte e pamendueshme deri jo shumë dekada më parë”, tha zonja Rama.

Në fjalimin që mbajti në Londër ku merrte pjesë në një samit për fuqizimin e grave, zonja Rama përmendi institucionet që drejtohen sot në Shqipëri nga gratë.

“30% e deputeteve në Parlament sot janë gra, 50% e përfaqësuesve në këshillat bashkiakë të vendit janë gra, 50% e anëtarëve të kabinetit qeveritar janë gra, të cilat aktualisht drejtojnë edhe sektorë që kurrë më parë nuk i ishin besuar gruas. Energjetika dhe infrastruktura sot kanë një Ministre grua, po ashtu Financat dhe Ekonomia. Gra janë edhe ministret e Mbrojtjes, Drejtësisë, Arsimit, Shëndetësisë, Kulturës e të Marrëdhënieve me Parlamentin.

Avokatja e Popullit është grua, Prokurorja e Përgjithshme është grua, Kryetarja e Kolegjit të Lartë të Gjyqësorit është grua, po kështu Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të gjykatësve e prokurorëve, është grua. Gra janë edhe Kryetarja e Kolegjit të posaçëm të Apelimit, grua është edhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, po kështu edhe Drejtuesja e Prokurorisë më te madhe në vend, ajo e Rrethit Gjyqësor të Tiranës. 47% e zëvendësministrave, 40% e institucioneve qendrore dhe 45% e drejtorive të Përgjithshme drejtohen nga gra. 30% e administratorëve dhe të pronarëve të biznesit privat janë gra. Dhe më shumë se 40% e pozicioneve në linjën e parë të menaxhimit në kompanitë private janë gra”, theksoi Linda Rama.

Të fundit