Flash News

KRYESORE

LSI e akuzoi si Gestapo, përgjigjet zv/kryeministrja: Nuk ka asnjë tendencë për të vënë në qendër një forcë të caktuar politike

LSI e akuzoi si Gestapo, përgjigjet zv/kryeministrja: Nuk ka asnjë

Pas akuzave të LSI­-së për Task ­Forcën, e cila sipas kësaj force politike shënjestron vetëm drejtorë të LSI­së,  është përgjigjur Zv/kryeministrja Mandija .

Sipas saj në gjithë këtë procedurë nuk ka asnjë tendencë, as për të vënë në qendër të vëmendjes apo shënjestër një forcë të caktuar politike apo për të penalizuar persona të caktuar

INTERVISTA

 Gazetarja (Merita Haklaj): Zonja Mandija emri juaj është ai që është me i artikuluari ne media gjatë këtyre ditëve për shkak të funksionit. Ju tashmë quheni zv.kryeministrja teknike dhe drejtoni Task Forcën për situatën zgjedhore, pra deri ditën e zgjedhjeve. Kur pranuat të ishin pjesë e kësaj qeverie në postin e zv/kryeministres tenike e kishit menduar këtë situatë që po pason ?

Zëvendëskryeministrja: Në radhë të parë ju falënderoj për intervistën në lidhjen me procesin që po zhvillohet. Për sa i përket pozicionit që mu propozua dhe unë pranova, kuptohet që ishte një sfidë, një sfidë e radhës dhe e pranova me vullnet të plotë duke patur parasysh vështirësitë dhe situatën në vend, por duke marrë në konsideratë interesin publik që është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kështu në këtë kuadër ka qenë një përgjigje po, për ta bërë këtë dhe për t’u përballur më çdo sfidë që do të ishte gjatë kësaj periudhe.

Gazetarja: A ju dekurajojnë deklarata të ndryshme politike? Kryesisht subjekti i Lëvizjes Socialiste për Integrim duhet të jetë më “i penalizuari”, për shkak të punonjësve të administratës apo drejtuesve të shkarkuar dhe atyre që janë pezulluar për shkak të përfshirjes në fushatë elektorale në mënyrë të kundraligjshme. ?

Zëvendëskryeministrja: Merita dua të sqaroj diçka. Në gjithë këtë procedurë të inicuar në radhë të parë nga ana ime dhe nga ana e ekipit që po punon nuk ka asnjë tendencë, as për të vënë në qendër të vëmendjes apo shënjestër një forcë të caktuar politike apo për të penalizuar persona të caktuar. Nuk ka një orientim në këtë drejtim, përkundrazi jemi këtu për të garantuar një standard, i cili i vendos forcat politike në pozita të barabarta.

Dua ta përmend edhe njëherë, qytetarët shqiptarë kërkuan zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pikërisht u arrit kjo marrëveshje mes palëve ku për të garantuar këtë të kishte edhe një rikompozim të qeverisjes duke futur disa ministra të tjerë në një qeverisje që ishte e majtë. Në këtë kuadër është operuar konform ligjit. Është Kodi Zgjedhor, dispozitat e ndryshuara të Kodit Penal, është ligji për partitë politike dhe gjithë ky kuadër ligjor është zbatuar gjatë kësaj periudhe duke marrë në konsideratë edhe një urdhër të Kryeministrit Rama të datës 11 maj 2017, i cili ka qenë i detyrueshëm për t’u zbatuar nga administrata shtetërore. Në këtë kuadër qytetarët kanë qenë të lirë që të dërgojnë informacione, ashtu si edhe subjektet politike. Këto informacione janë verifikuar, janë përpunuar nga ministrat përkatës apo titullarët e institucioneve të cilët kanë operuar më pas me marrjen e masave.

 Pikërisht për t’a bërë më të qartë dhe më të formalizuar këtë procedurë që po ndiqet është hartuar Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili zëvendëson Urdhrin e Kryeministrit dhe qartëson edhe të drejtat e detyrat e punonjësve të administratës shtetërore, të cilët kanë edhe të drejtat e tyre politike, por duke qartësuar edhe pozicionin, edhe përgjegjësinë që duhet të kenë ata kundrejt ushtrimit të këtyre të drejtave politike dhe mosangazhimit publik të hapur përmes propagandës sidomos në rastin e nëpunësve civil duke mos cenuar edhe funksionet që ato kryejnë në shërbim të publikut. Kështu që në këtë kuadër u hartua një VKM në lidhje më të cilën është marrë mendimin i OSBE­së, është kërkuar ekspertiza e tyre, janë përfshirë në grupin e Task­Forcës Ministritë që kanë lidhje me procesin zgjedhor. Nuk ka pasur asnjë selektivitet dhe nuk ka pasur asnjë një qëllim për të përjashtuar ndokënd. Në momentin që do të ishte propozuar patjetër që do të pranohej. E pra, aty nuk janë të gjithë ministrat teknikë psh. është Ministri i Brendshëm sepse ka lidhje me procesin zgjedhor, është Ministri Arsimit, sepse ato përdoren më shumë, nga raportet e vëzhguesve vendore apo të ODIHR, kanë qenë mësuesit dhe nxënësit të përdorur politikisht; është Ministria e Financave ku lëvrohen fonde d.m.th ka edhe rrjedhje fondesh gjatë kësaj periudhe; është Drejtoria e Pastrimit të Parave sepse mund të ketë transanksione të dyshimta gjatë kësaj periudhe; është Policia e Shtetit, e cila ka informacione në lidhje me kriminalitetin apo lidhjen e subjekteve të krimit pikërisht në suport të subjekteve elektorale apo edhe institucione të pavarura, të cilat janë ftuar të bëhen pjesë e kësaj Task­Force, sikur Prokuroria, KQZ, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe Avokati i Popullit. Në asnjë rast nuk është menduar të përjashtohet kjo ministri apo ajo ministri. Nuk është futur këtu Ministri i Shëndetësisë, pavarësisht se doktorët dhe infermierët janë përdorur së shumti në fushata elektorale, nuk është futur as Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale ku edhe aty ka skema përfitimesh për ndihmën ekonomike e me radhë Në se do të kishte qenë një udhëzim dhe një orientim për të përfshirë më tepër ministra do të ishim shumë të hapur për më tepër që mbledhjet e Task­Forcës janë të hapura. Stafi ndërkombëtar, i cili është i përfshirë në aktivitetin elektoral dhe e vëzhgon këtë aktivitet, është i ftuar të marrë pjesë, të japi edhe rekomandimet përkatëse në qoftë se do të jetë e nevojshme gjatë rrugës. Ka pasur një keqkuptim për opinionin publik. Në asnjë rast Task – Forca nuk bën shkarkime, nuk merr vendime Task­Forca. Ajo është në rolin e koordinatorit mes institucioneve për ta koordinuar këtë proces sepse ka ndodhur që fotot ­faktet të vijnë nga burime të ndryshme, nga qytetarë dhe nga subjekte politike. Në përfundim të këtij procesi është shumë mirë të kemi një rezultat se çfarë ndodhi nga e gjithë kjo, çfarë u konstatua dhe çfarë parandaluam që të ndodhte dhe çfarë efektesh solli ndaj atyre që kryen veprimtari kriminale zgjedhore referuar dispozitave të kodit penal. Task­ Forca ka detyrën që në çdo mbledhje të marrë vendime që janë në kuadrin e rekomandimeve të orientimeve të mëtejshme për institucionet dhe ministritë e të tjera, por sipas ligjit të gjitha këto vendime ekzekutive i takojnë ministrave apo edhe titullarëve të institucioneve, të cilët mbajnë edhe përgjegjësinë për procedurat e ndjekura ligjore.

Të fundit