Flash News

KRYESORE

Lubonja kujton 2 korrikun e '90-ës, rrëfenjë për mënyrën se si e përjetoi erën e re të ndryshimeve: U "rebeluam" nga burgu

Lubonja kujton 2 korrikun e '90-ës, rrëfenjë për

Analisti Fatos Lubonja ka treguar se si e përjetoi ai vetë erën e re të ndryshimit gjatë kohës së rënies së sistemit komunist dhe hapjes së ambasadave në 1990. Në një intervistë për rubrikën “Opinion” në “News 24”, Lubonja është shprehur se të gjitha ndryshimet, të cilat do të sillnin 2 korrikun e 1990- ditën e shënuar në historinë e tranzicionit shqiptar-,  i ka ndjekur nga burgu.

Sipas analistit kjo ka qenë një perjudhë me ndjesi të përziera që alternonin njëra tjetrën, por në fund dominonte guximi për t’ju kundërvënë regjimit dhe rrëzimin e sistemit.

“Unë kam qenë në burg në atë kohë. Kishte filluar të frynte kjo era që solli ndryshim, por ende jo mirë dhe në burg ndjeheshin më pak pasojat.

Bëhet fjalë për 1990 kur unë isha në burgun e Burrelit. Pranvera e këtij viti solli një transferim të burgut të Burrelit. Ne u çuam në ish-burgun e grave në Kosovë, Lushnjë. Ne nga burgu shikonim reagimin e regjimit.

Regjimi po shikonte se çfarë do të bënte, tërhiqte-lëshonte, tërhiqte-lëshonte por ende nuk ishte vendosur, ende po shikohej si do të rridhnin gjërat.

Këto lëvizje sollën një shpresë më shumë në burg. Madje ne filluam edhe një lloj “rebelimi” në burg. Filluam të linim flokët e gjata dhe mbaj mend që dërguan një grup të na qethnin me forcë. Na qethën me dhunë.

Mbaj mend se gjërat po rridhnin. U krijua Partia Demokratike, u formua më pas gazeta Rilindja Demokratike. Të gjitha këto zhvillime unë i kam ndjekur nga burgu.

Gjithë kjo ishte një ndjesi e cila alternonte shpresën me frikën. Ndjenja të përzjera, por dominonte më shumë një ndjenjë lehtësimi, kurajo, shprese dhe më shumë guximi nga ana e të burgosurve për t’iu kundërvënë regjimit tashmë që shihej dita ditës se ai ishte duke rënë.

Në 17 mars para zgjedhjeve të 1991 jam liruar unë”, është shprehur Lubonja.

Të fundit