Flash News

KRYESORE

Lubonja thirrje Bashës: Mos prit FBI-në dhe Donald Lu por nxirr emra, transparenca më e mirë bëhet nga opozita

Lubonja thirrje Bashës: Mos prit FBI-në dhe Donald Lu por nxirr emra,

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar deklaratën e kryeopozitarit Lulzim Basha se buxheti i vitit 2018-të është bërë për të pastruar paratë, duke kërkuar prej tij që të publikojë emrat e atyre që quan ‘baronë’. Basha u shpreh sot se buxheti i Shqipërisë duhet të merret në dorë nga Prokuroria, FBI dhe DEA amerikane, por Lubonja theksoi në rubrikën ‘Opinion’ në News 24, se transparenca më e mirë në këtë situatë mund të bëhet vetëm nga opozita shqiptare.

Sipas Fatos Lubonjës, Basha nuk duhet të presë reagimin e ambasadorëve të huaj pasi ata nuk kanë të parin interesin e shqiptarëve.

“Është koha për emra. FBI s’mund të bëjë transparencën e narko-shtetit më mirë se opozita shqiptare. Mendoj se te debati i këtij buxheti duhet të bëhet më shumë transparencë për ta zbuluar. Politika jonë ka pritur ndihmën e të huajve për të rrëzuar qeverinë që ka qenë kundërshtare e tyre. Ne duhet të arrijmë pjekurinë që t’i realizojmë vetë punët tona. Të huajt kanë interesa të tjera, nuk kanë interesin e shqiptarëve të parë. Nuk duhet të presim ambasadorin amerikan apo ndonjë ambasador tjetër”, shprehet analisti.

Sa i përket propozimit të Edi Ramës që ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi, të emërohet ambasador i Shqipërisë në NATO, Lubonja tha se kjo lëvizje vërteton hipotezën se Ajazi u tërhoq për interesin e tij person në një moment shumë të rëndësishëm për vendin.

“Kam thënë që Visho Ajazi ka braktisur detyrën në një moment shumë të rëndësishëm. Ishte çështja Tahiri dhe përfshirja e policisë në krimin e organizuar. Kam folur edhe për një hap të Edi Ramës për të kontrolluar institucionin e SHISH. Këto që kam thënë qëndrojnë. Visho Ajazi për interesin e tij u tërhoq. Ndoshta pazaret janë bërë edhe më para. Kjo i shërben Edi Ramës. Jemi në një moment që duhet të na bëjë të reflektojmë thellë”, u shpreh Lubonja.

Të fundit