Flash News

KRYESORE

‘Lufta’ brenda UT/ Akuzat e Mynyr Konit ndaj tre dekanëve dhe qëndrimet që kanë mbajtur për protestën e studentëve

‘Lufta’ brenda UT/ Akuzat e Mynyr Konit ndaj tre dekanëve dhe

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni ka akuzuar tre dekanët e Fakulteteve të Ekonomisë, Drejtësisë dhe Gjuhëve të Huaja se, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, kryejnë procedura kundra ligjit dhe kanë bojkotuar çdo përpjekje për t’i dhënë zgjidhje kërkesave të studentëve.

Në letrën e publikuar sot, Koni iu kundërpërgjigj edhe akuzave të kryeministrit Edi Rama kur deklaron se, “nuk mund të shmanget përgjegjësia për mosplotësimin e pikave të Paktit për Universitetin, duke tentuar të devijosh indinjatën e studentëve dhe të pedagogëve nga Qeveria tek Rektori i Universitetit të Tiranës.”

Dhori Kule, Artan Hoxha dhe Artur Sula, që drejtojnë këto fakultete, kanë qenë në qendër të kritikave të studentëve edhe gjatë protestave të dhjetor-janarit.

Një status i publikuar prej Sulës në rrjetet sociale ku paralajmëronte me afrimin e sezonit të provimeve, u konsiderua nga studentët protestues si përpjekje për t’i përçarë. Reagimet e shumta e detyruan dekanin e ‘Gjuhëve të Huaja’ që të fshinte postimin, ndonëse kopje të tij ishin ruajtur nga studentët.

Ndërkohë, akuzat dhe kritikat ndaj Kules dhe Hoxhës kanë qenë shumë të shpeshta gjatë protestave, aq sa ata ishin në krye të listave që studentët shpalosnin në rrugë dhe në sheshe për “pastrimin e Universitetit të Tiranës”. Gjatë protestave në fakultete dhe ngujimit që pasoi, disa video janë publikuar në media ku shfaqeshin debatet e ashpra midis studentëve dhe dekanëve të ‘Ekonomikut’ dhe ‘Drejtësisë’.

Rektori Koni i vendosi sot tre dekanët në një front të përbashkët që, me mbështetjen e Qeverisë, po e sfidojnë dhe po e luftojnë në drejtimin e universitetit.

I kërcënuar dje nga kryeministri Rama për një shkarkim të mundshëm nga detyra, pasi, sipas tij, nuk i është përgjigjur kërkesave të studentëve, Mynyr Koni ka shpjeguar përse kanë ngecur dhe nuk po realizohen këto kërkesa.

  • Mbi kontrollin antiplagjiaturë të dizertacioneve për fitimin e gradave apo titujve shkencore

Mynyr Koni thekson në letër se në bazë të VKM-së së 26 dhjetorit, ka kërkuar nga drejtuesit e fakulteteve që të dorëzonin listën e personave që kanë mbrojtur dizertacionin dhe kanë fituar grada ose tituj shkencorë të barazvlefshëm me to, që nga viti më i hershëm që dispononin. Afati i dorëzimit ishte vendosur 11 marsi, por sipas Konit, përveç dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, askush tjetër nuk ka dorëzuar listën.

  • Plagjiaturat

Rektori sqaron se nga Kuvendi kanë ardhur disa kërkesa për të verifikuar akuzat për plagjiaturë për disa pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë, apo për të tjerë që kanë mbrojtur gradën e tyre shkencore në fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës. Kërkesa i është përcjellë dekanit Dhori Kule, por ky i fundit, sipas Konit, nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

  • Biblioteka Elektronike

Sa i përket akuzave mbi Bibliotekën Elektronike, Mynyr Koni thekson se ky projekt do të impelementohet nga Qendra Ndërinstitucionale Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH). Ai thotë se ka kërkuar nga të gjitha fakultetet e UT të përcjellin sa më parë listat e studentëve dhe të stafit që do të aktivizohen në këtë platformë.

  • Mbi rikonstruksionin e godinave të Fakultetit të Ekonomisë

Sa i përket kësaj pike, rektori deklaron se rikonstruksioni i godinës së ‘Ekonomikut’ është penguar nga ish-administratori dhe Bordi i Administrimit. Ky i fundit është njoftuar disa herë zyrtarisht, por nuk ka reaguar.

  • Pakti për Universitetin

Mynyr Koni mohon që të ketë sabotuar ‘Paktin për Universitetin, i prezantuar nga Qeveria, por i është drejtuar fakulteteve që ta plotësonin më tej me kërkesa sipas nevojave, për t’i adresuar më pas në Ministrinë e Arsimit. Ndonëse afati i vendosur për paraqitjen e mendimeve dhe sugjerimeve ishte data 15 shkurt 2019, thotë Mynyr Koni, mendimet dhe sugjerimet si gjithmonë nuk erdhën as nga Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, as nga Dekani i Fakulteti i Drejtësisë dhe as nga Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

  • Auditimi i Universitetit të Tiranës

Rektori Mynyr Koni deklaron se nga Ministria e Arsimi nuk ka patur asnjë auditim për Universitetin e Tiranës, ndonëse kjo është kërkuar prej tij publikisht.

“Pse nuk bëhet auditim në Universitetin e Tiranës? Kush është arsyeja e vërtetë? Kush e pengon atë të bëhet?”,- pyet rektori.

  • Punësimet në Universitetin e Tiranës

Rektori i UT i rikthehet akuzave ndaj tre dekanëve kur deklaron se: Dhori Kule, Artan Hoxha dhe Artur Sula, në shkelje flagrante të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 (shiko nenin 64, pika 1); në shkelje flagrante të Statutit të UT (shiko nenin 67, 80) dhe në shkelje flagrante të Rregullores të UT (shiko neni 25), shpallin vende pune dhe kërkojnë të kryejnë procedura të paligjshme rekrutimesh të personelit akademik dhe ndihmës akademik në njësitë kryesore që ata drejtojnë.

“Dekanët, Dhori Kule, Artan Hoxha dhe Artur Sula, në mbështetje të hapur nga MASR, shkelin ligjin, e tjetërsojnë atë, dhe në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme, shpikin, sajojnë, tjetërsojnë të vërtetën, siç duket qartë edhe nga takimet e tyre të fundit me Kryeministrin e vendit”, akuzon Koni.

  • Gradat Shkencore

Koni thekson se “një provë tjetër që këto tre dekanë kanë mbështetje të hapur nga Ministrja e Arsimit, është edhe rasti i fundit në lidhje me zgjedhjen e komisonit të përhershëm në nivel njësie kryesore për promovimin e gradës shkencore “Doktor.”

“Si autoriteti që ka miratuar Rregulloren e Zgjedhjeve, i kam kërkuar në mënyrë të përsëritur qëndrimin institucional dhe ndërhyrjen e Ministres se Arsimit për qartësimin e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve të UT-së, në mënyrë që procesi për krijimin e komisionit të përhershëm për dhënien e gradës shkencore “Doktor” në çdo njësi kryesore të Universitetit të Tiranës, të vazhdonte normalisht, duke përmbyllur në këtë mënyrë këtë proces mjaft të rëndësishëm për UT, sipas përcaktimeve dhe kërkesave ligjore si dhe akteve nënligjore në fuqi. Por sigurisht edhe në këtë rast, Ministrja e Arsimit nuk kthen asnjë përgjigje”, shprehet drejtuesi i Universitetit të Tiranës.

Të fundit