Flash News

OP-ED

Lufta 'Nacional-çlirimtare 2’, të cilën Rama mund ta fitojë me ndihmën e oponencës

Lufta 'Nacional-çlirimtare 2’, të cilën Rama mund ta

Alfred Lela

Një përqendrim i lartë i zhurmës te gogoli i ‘shtetit autoritarist’ që kërkon të krijojë Edi Rama, ka gjasa t’i shërbejë më shumë kryeministrit se sa përçimit në publik të idesë për kredencialet e tij ‘diktatoriale’.

I shërben sepse të gjitha masat represive që Kryeministri hedh në publik, si vendime apo provokime, nuk flasin për ‘shtetin e fortë’ që ai drejton, por për krejt të kundërtën: shtetin ngalakeq (të dobët). Shqiptarit mesatar nuk i nevojitet fjala e Edi Ramës për të kundërtën, dhe as e kundërshtarëve të tij për të kundërtën e së kundërtës për ta ditur këtë fakt.

Çfarë ndryshoi në Shqipëri, dhe në shtetin tonë me Ramën në krye, që nga tërmeti i 26 nëntorit? Asgjë. A nuk mjaftojnë pamjet e punonjësve të Emergjencave që kërkonin, me duar dhe sqeparë, në rrënojat e pallateve të shembura për ta ditur këtë?

Te kjo dijeni mund të thuhet se shtrihet edhe talenti i Ramës kësaj here. Tërmeti dha një pamje të qartë të kapaciteve dhe mentaliteteve të strukturave shtetërore, menaxheriale, administrative, të infrastrukturës fizike dhe reaguese. Rama vendosi ‘centralizimin e medikoritetit’ duke vendosur që çdo kapacitet kombëtar operacional ta shtinte nën drejtimin e vet.

Sigurisht, ai humbi ca kohë në fillim, kur u fut në kallamishten e narcisizmit: çdo lajm për virusin që përhapej në Itali dhe kërcënonte Shqipërinë (siç ndodhi), e konsideronte përhapje paniku. Megjithatë, kur e mblodhi veten, dëshmoi se paniku nuk vjen të gjitha herët për keq.

Si pjesë e këtij paniku dhe centralizimi ishte vendimi që spitalet Covid-1 dhe Covid-2 të strehonin të gjithë të prekurit, duke ua hequr spitaleve rajonale të drejtën e trajtimit të pacientëve me koronavirus, hiq rastet e pranimit në urgjencë.

Ky panik që çoi në centralizim e mbylli kryeministrin në ‘kullë’ duke krijuar, të paktën në dukje, një gjendje të paralizës shtetërore (fakti që kreu i Qeverisë nuk i fliste popullit nga zyra në kohë krize, nuk ishte ndryshe nga kujtimi i shtatorit ’98, kur KM i asokohe la zyrën). Kryeministri e lëvizi stemën e Republikës dhe karrigen e shefit të ekzekutivit në vilën e tij private në periferi, duke krijuar, virtualisht, një ‘Kamp David’ shqiptar, por pa regalian dhe pa autoritetin institucional.

Ndryshe nga politikani, që në fillim e shante dhe tani e imiton, presidenti Trump, i cili prej javësh, çdo pasdite, del në konferencë shtypi bashkë me shtabin anti-Covid, Rama e futi komunikimin me publikun dhe median në Skype dhe ERTV. Ai ‘vrau’ konferencën e shtypit (një format gazetaresk që nuk e preferon) dhe për javë me radhë hapi linjën e një komunikimi me një korsi. Kryeministri mori atributet e emëtimit të çdo informacioni thelbësor në lidhje me emergjencën, duke i shndërruar shefat e institucioneve të linjës, përfshirë ministren e Shëndetësisë, në ‘tellallë të kohës së Mbretit’ që lexonin vetëm shifra të vdekurish dhe të prekurish, apo përcillnin për në shtëpi ndonjë prej të shëruarve.

Me gjithë ankesat, me të gjitha spaletat që ai u hoqi gjeneralëve të vet, megjithë goditjet që i jep konceptit të shtetit, Rama arriti të dalë nga gjysma e luftës me Covid-19 me një bilanc optimal. Ai nuk e humbi luftën edhe për faktin se e filloi i humbur atë. Me një sistem shëndetësor si yni, e vetmja mënyrë për të shmangur katastrofën ishte karantina. Jo karantina e qytetarëve, por e shtetit.

Edhe legjislacioni që Rama ka ‘shpikur’ është një teknikë diversioni më shumë se qëllim. Ai e di se shteti nuk forcohet duke çuar njerëz në burg për 10 vite, pse kanë dalë pa leje në kohë karantine, madje dobësohet, sepse rritet rezistenca ndaj një shteti ndërkohë të dobët. Por, ai gjithashtu e di se, çdo perceptim për një shtet të dobët (ky është miti te shqiptarët) dhe një udhëheqës që mundohet ta forcojë atë, përfitues është miti i udhëheqësit.

Rama është duke ushqyer mitin e vetes dhe duke përdorur edhe oponencën për t’ia arritur këtij qëllimi. Edhe në rrafsh të komunikimit publik oponenca e Ramës bën një gabim: kur kryeministri kërcënon se do të çojë dikë në burg, shumica e njerëzve e lënë imagjinatën që të përcjellë në qeli dikë tjetër, një X të papëlqyer prej tyre. Kurrë veten. Kur opozicioni i Ramës futet papritur në imagjinatën e njerëzve, duke ua ndërprerë schadenfreude-n (kënaqësinë për fatkeqësinë e tjetrit), ata etiketohen si ‘prishës ëndrrash’. Duke u futur automatikisht në një kategori të urryer.

Çdo ashpërsim i masave, me ligje të mbështetura te arroganca e akteve normative, shkon kundër gjithë ligjërimit të Ramës ‘ne bëjmë shtet’. Krejt e kundërta: dëshmon se në 7 vjet nuk ka bërë dot shtet dhe i merr këto masa ‘lufte’ nga paniku i mungesës së tij.

Lufta e re ‘Nacional-çlirimtare’ nuk do të bëhet për shtetin dhe konceptin e tij, por sa do të jetë shteti i aftë të zgjidhë ngecjen ekonomike që vijon pas krizës shëndetësore. Çdo devijim nga kjo, duke shpikur zhurma për Ramën iliberal, në mos e forcon atë, të paktën i fsheh ‘dorën e dobët’ në këtë lojë.

Duke mos harruar edhe një fakt: nëse Rama bëhet autoritar përmes akteve normative, edhe opozita ka dorë në të. Propozimi për shpalljen e ‘gjendjes së fatkeqësisë natyrore’ erdhi nga selia blu.

 

Të fundit