Flash News

KRYESORE

‘Luftë të papunëve të luksit’, Edi Rama lajmëron nisjen e aksionit kundër makinave luksoze

‘Luftë të papunëve të luksit’, Edi Rama

Në Tiranë, por edhe në qytete të ndryshme të vendit, është e zakonshme të shohësh makina që kushtojnë mbi 100 mijë euro dhe që vështirë t’i gjesh në rrugët e kryeqyteteve europiane. Shpesh herë këto makina zotërohen nga të rinj nën moshën 30 vjeç dhe që rezultojnë të papunë.

Një shqetësim për të cilin analistë të ndryshëm kanë folur gjithnjë në studiot televizive kur bëhet fjalë për sigurinë dhe kriminalitetin në vend, por vetëm sot, kryeministri Edi Rama u ka dhënë të drejtë shqetësimeve të tyre.

Gjatë mbledhjes së task forcës kundër kanabisit, Rama i kërkoi drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të fusë në skaner të gjithë ata persona që zotërojnë makina luksoze. Duke i quajtur “të papunë luksi”, Rama tha se ata sfidojnë perceptimin e komunitetit se si duhet të jetohet në Shqipëri me punë të ndershme.

“Makina luksoze që sfidojnë ligjin, sfidojnë sigurinë publike, pasuritë e paluajtshme të këtyre ‘shoferëve’, që zotërohen prej tyre, që janë të papunë luksi në këtë vend, llogari bankare të pajustifikueshme, biznese të palidhura me një historik rritje financiare, duhet t’i nënshtrohen një procesi verifikimi kapilar ligjor.  çdo makinë luksoze që sfidon ligjin, sigurinë publike dhe që sfidon me prezencën e vet perceptimin e opinionit publik dhe perceptimin e komunitetit për çfarë duhet të bëjë dhe si mund të jetojë një qytetar në këtë vend me punë të ndershme, duhet të kalojë në skanerin e forcave ligjzbatuese. Çdo pasuri e paluajtshme që zotërohet në territor dhe që është e pajustifikuar duhet të kalojë në skaner”, tha Rama.

Rama përsëriti sërish kërkesën për të dërguar përpara ligjit ‘të fortët’ e qyteteve, që sipas tij, nuk fshihen por janë rrugëve me makina luksoze.

“Forca të fortëve këtu vjen nga tradhëtia brenda forcave të policisë së shtetit. Tradhëtarët brenda policisë duhet të marrin në çdo kohë mësimin më ekstrem. Këta që quhen të fortë, këta e kanë forcën në komisariat se nuk u buron forca nga ndonjë drejtim tjetër, e kanë brenda komisariatit të policisë dhe aty duhet të fillojë lufta. Dihet ku janë, dihet kush janë, madje nuk janë as të fshehur, janë rrugëve, me automjete që sfidojnë inteligjencën e çdo njeriu që sy në ballë për t’i parë”, tha Rama duke kërkuar presion asfiksues të policisë mbi këta persona.

Të fundit