Flash News

KRYESORE

Lulzim Basha barazon Erion Veliajn me Saimir Tahirin, mesazh Monika Kryemadhit

Lulzim Basha barazon Erion Veliajn me Saimir Tahirin, mesazh Monika Kryemadhit

“Besoj se është moment mjaft i rëndësishëm që të shkohet në këtë marrëveshje, ose nëse s’ka marrëveshje ne të fokusohemi që LSI do kandidojë e vetme përsëri dhe besoj se jemi pak vonë për organizimin e zgjedhjeve të 2019.” Kjo ishte deklarata e bërë nga deputeti i LSI, Përparim Spahiu, më 22 mars dhe që jepte mesazhin se partia e vogël e opozitës kërkonte sa më shpejt një koalicion politik me Partinë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Por kur ka mbetur edhe një vit nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve, LSI nuk ka bërë ende një ndarje të rëndësishme, cili do të jetë pozicioni ndaj Erion Veliajt, kryebashkiaku aktual i Tiranës.

Monika Kryemadhi ka refuzuar të japë një përgjigje nëse LSI do e mbështesë Veliajn për një mandat të dytë, madje i bëri reklamë kur deklaroi se kryebashkiaku i bën hije kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka dalë sot në një konferencë për mediat dhe ka dhënë një mesazh të qartë për aleaten e ‘Frontit Opozitar’: Veliaj është në një grup me Edi Ramën dhe Saimir Tahirin.

Basha dënoi sulmet ndaj kryetarit te Komisionit të Çeshtjeve të BE në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum, që sipas tij, janë financuar nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit që lidhen drejtpërdrejt me Ramën, Tahirin dhe Veliajn.

“Kjo fushatë e pisët e frymëzuar nga sulmet e kryeministrit Edi Rama nga mediat e kontrolluara prej tij, kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-ministrit të Brendshëm, trafikantit ndërkombëtar të drogës, Saimir Tahiri, bie ndesh me çdo vlerë demokratike dhe evropiane. Ajo dëshmon mentalitetin kriminal dhe autokratik se kritikët dhe ataqë mendojnë ndryshe, duhet të sulmohet personalisht dhe të denigrohen... Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate, e cila po zhvillohet prej tre ditësh në media, është se ajo financohet nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit qeveritar që lidhen drejtpërdrejt me Edi Ramën, Saimir Tahirin dhe Erion Veliaj. Ky aksion i ulët propagandistik dëmton interesat e shqiptarëve”, ka deklaruar Basha.

Veliaj është rikthyer në retorikën politike të Bashës si një person që financon fushata denigruese me para të krimit, drogës dhe korrupsionit, ndërkohë që Kryemadhi e ka vlerësuar Veliajn pak muaj më parë për faktin që sipas saj, ndryshe nga Rama, “Veliaj ka një gjë të mirë që nuk ka lidhje me njerëzit e krimit dhe të drogës.”

Të fundit