Flash News

KRYESORE

Mafia dhe Karavaxhio/ Si u vodh piktura e famshme dhe tentativat e një prifti për ta marrë atë nga duart e bosit të Cosa Nostra-s

Një kryevepër e Karavaxhios e vjedhur në kishën e Palermos 50 vjet më parë dhe e renditur mes veprave të artit të vjedhura më të kërkuara nga FBI-ja, u mbajt në shtëpinë e një bosi të mafias, i cili i pat dërguar një copë nga kanavaca kishës katolike, në mënyra që ta bindte këtë të fundit që të bënin një marrë veshje për kthimin e saj.

Kjo u bë e ditur nga një prift i cili u përpoq ta rikuperonte atë.

Në një intervistë të filmuar në vitin 2001, e cila u mbajt e fshehtë për t’u zbuluar sot ekskluzivisht për gazetën britanike ‘The Guardian’, prifti i famullisë së ‘San Lorenzo’-s zbuloi detaje mahnitëse të vjedhjes së pikturës së Karavaxhios “Lindja e Krishtit” në tetor të vitit 1969.

Imzot Roço Benedetto, i cili vdiq në vitin 2003, tha se piktura ishte në shtëpinë e shefit famëkeq të mafies siciliane Gaetano Badalamenti. Ky pretendim u konfirmuar për herë të parë nga hetuesit vitin e kaluar.

“Pak muaj pas vjedhjes së pikturës, në shtëpinë time erdhi një letër”, rrëfen Benedeto për Massimo D’Anolfin, personi që kishte bërë intervistën për një dokumentar me të cilin po punonte, dhe që bënte fjalë për veprat e vjedhura.

“Në atë letër hajduti thoshte: Ne kemi pikturën. Nëse doni të bëjmë një marrëveshje ju duhet ta paraqisni këtë shpallje në ‘Giornale di Sicilia’ (një e përditshme siciliane).”

Shpallja kishte për qëllim të ishte një sinjal për Cosa Nostra-n që Kisha ishte e gatshme të bisedonte.  Benedetto i tregoi mbikëqyrësit të çështjeve kulturore të Palermos, i cili më pas e publikoi shpalljen në gazetë.

Dy javë më vonë prifti mori një letër të dytë, e cila përmbante edhe një kërcënim tipik mafioz.

“Letra shoqërohej edhe me një copë nga piktura, e cila kishte për qëllim të ma bëntë të qartë që ata e kishin vërtetë kryeveprën e Karavaxhios”, rrëfen Benedeto gjatë intervistës.

“Shkova direkt te mbikëqyrësi dhe e njoftova për atë që po ndodhte. I lashë letrën dhe copën e kanavacës”.

“Mafia po bënte me pikturën atë që ata bëjnë normalisht me viktimat e rrëmbyera”, thotë D’Anolfi. “Ata kishin dërguar një pjesë të pikturës njësoj siç dërgonin një gisht ose vesh të një personi të rrëmbyer prej tyre”.

Letra kërkonte që të botohej një shpallje e dytë në gazetën e Siçilisë, Por kësaj radhe mbikqyrësi i çështjeve kulturore refuzoi ta botonte letrën, madje e kallëzoi Benedeton në polici me dyshimin se kishte qenë ai që organizatori i vjedhjes së pikturës.

Për një periudhë të shkurtër prifti ju nënshtrua hetimit.

“Ata më morën edhe shenjat e gishtërinjve, por më vonë mbikqyrësi erdhi dhe më kërkoi falje”, thotë Benedeto gjatë intervistës, duke shtuar se “ai e pranoi që kishte bërë gabim, por tashmë dëmi ishte bërë”.

Pretendimi i Benedetto për përfshirjen e mafies lindi 17 vjet pasi ai foli me D'Anolfi-n, kur hetuesit italianë zbuluan në maj të vitit 2018 që një ‘i penduar’, Gaetano Grado, u kishte thënë atyre që piktura ishte mbajtur nga Badalamenti dhe se një anëtar i familjes së këtij të fundit e kishte lidhur me një tregtar arti në Zvicër - ku tani mund të ishte Caravaggio.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=24&v=RfWpkBlvOKM

Të fundit